Një 42-vjeçar me origjinë shqiptare është ndaluar në portin e Barit, teksa dyshohet se po përpiqej të largohej drejt Shqipërisë, pas vdekjes së partneres së tij në provincën e Kozencës.

Elvis Metvelaj, 42 vjeç nga Shqipëria, është autori i dyshuar i ngjarjes i cili u arrestua në portin e Barit duke tentuar të vijë në Shqipëri.

Bëhet fjalë për Ornella Forastefano, 46 vjeçe, e cila u gjet në gjendje të rëndë pranë hyrjes së Urgjencës së spitalit të Trebisacces gjatë orëve të para të mëngjesit. Mjekët tentuan ta reanimonin, por 46-vjeçarja nuk mundi të mbijetonte. Sipas autoriteteve, ajo kishte pësuar dëmtime të rënda dhe politrauma, që dyshohet se ishin shkaktuar nga dhuna fizike.

Pas ngjarjes, hetuesit u përqendruan te partneri i saj, me të cilin viktima bashkëjetonte prej rreth një viti. 42-vjeçari ishte shpallur në kërkim dhe u lokalizua në portin e Barit, përpara se të largohej drejt Shqipërisë. Aktualisht ai po merret në pyetje nga hetuesit, ndërsa autoritetet po përpiqen të rindërtojnë orët e fundit të jetës së gruas dhe të përcaktojnë përgjegjësinë e tij të mundshme.

Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet italiane, 42-vjeçari ishte i njohur për precedentë penalë në fushën e narkotikëve. Hetimi po zhvillohet nga Nucleo Investigativo i Komandës Provinciale të Karabinierëve të Kozencës, Kompania e Cassano allo Ionio dhe Tenenza e Trebisacces, nën drejtimin e Prokurorisë së Castrovillarit.

Viktima menaxhonte një lokal

Ornella Forastefano administronte një bar në qendër të Trebisacces së bashku me dy fëmijët e saj. Ajo ishte me origjinë nga Cassano allo Ionio dhe banonte në Amendolara.

Emri i saj është i lidhur edhe me një histori familjare të njohur në zonë. Babai i saj, Antonio Forastefano, u vra në vitin 1999 teksa dilte nga dyqani i tij në Marina di Sibari.

Në raportimet e mediave italiane përmenden gjithashtu lidhje familjare me persona të hetuar ose të dënuar në kontekstin e ‘Ndranghetës. Megjithatë, autoritetet kanë bërë të qartë se deri tani nuk ka elemente që ta lidhin këtë histori familjare me vdekjen e 46-vjeçares.

Hetuesit po verifikojnë tashmë të gjitha rrethanat e ngjarjes, përfshirë mënyrën se si gruaja u transportua dhe u la pranë spitalit. Ndërkohë, ndalimi i partnerit në Bari pritet të ndihmojë në zbardhjen e dinamikës së plotë të ngjarjes dhe të përgjegjësive të mundshme penale.