Adrian Sinani është skulptori që ka realizuar instalacionin “Karamelja”, të vendosur para pak ditësh para bashkisë së Durrësit.

Siç lexohet edhe në shënimin që është vënë në pllakën e granitit mbi të cilën është vendosur instalacioni me ngjyrë e kaltër dhe që mban logon e bashkisë Durrës, kjo vepër arti është një dhuratë e skulptorit Sinani për bashkinë.

“Karamelja me ngjyrën e kaltër simbolizon mikpritjen që qyteti i Durrësit i bën çdo qytetari shqiptar  dhe qindra e mijëra vizitorëve të huaj çdo vit”,- shkruhet gjithashtu në shënimin e vendosur  poshtë instalacionit.

Për publikun e gjerë Sinani njihet si ideatori dhe realizuesi i muzeut më të ri të hapur në qytetin bregdetar më 15 qershor.

Eksperiencën shumëvjeçare të krijuar në SHBA me muzetë, Sinani erdhi ta jetëzojë edhe në qytetin e tij të lindjes, në hyrje të autostradës, në Shkozet, me një ambient me sipërfaqe rreth 1000 m2.

Muzeu “The  end of comnunist era” (Fundi i periudhës komuniste sjell në pavionet e tij për qytetarët shqiptarë dhe turistët e huaj foto të periudhës së monarkisë së mbretit Zog dhe dokumente autentike, objekte, veshje dhe municione të pushtuesve nazi fashistë, duke u dhënë mundësi vizitorëve të mësojnë shumëçka nga ato vite të trazuara të historisë së kombit tonë gjatë Luftës së dytë Botërore.

Pavioni dedikuar viteve të regjimit komunist përcjell realitetin e zymtë të mijëra shqiptarëve, që përjetuan burgjet, internimet e përndjekjet dhe në fund të rrugëtimit nëpër histori shfaqet me statujën e diktatorit Enver Hoxha, në momentet e fundit para se të rrëzohej e të tërhiqej zvarrë nga populli, që kishte dalë në rrugë.

M.B.