Një muze i ri është gati të hapë dyert në Durrës. Përgatitjet janë në fazën finale dhe hapja e madhe pritet të jetë më 15 qershor.
Për të mësuar më shumë mbi muzeun “The end of comnunist era” (Fundi i periudhës komuniste) “DurrësLajm” u takua me ideatorin dhe realizuesin e tij, Adi Sinani. Eksperiencën shumëvjeçare të krijuar në SHBA me muzetë, Sinani ka ardhur ta jetëzojë edhe në qytetin e tij të lindjes, në hyrje të autostradës me një ambient me sipërfaqe rreth 1000 m2.


Mes fotove të periudhës së monarkisë së mbretit Zog dhe dokumenteve autentike, objekteve, veshjeve dhe municioneve të pushtuesve nazi fashistë, vizitori mëson shumëçka nga ato vite të trazuara të historisë së kombit tonë gjatë Luftës së dytë Botërore.

Pavioni dedikuar viteve të regjimit komunist përcjell realitetin e zymtë të mijërave shqiptarëve, që përjetuan burgjet, internimet e përndjekjet.


Në fund të rrugëtimit, vizitori përballet me statujën e diktatorit Enver Hoxha, në momentet e fundit para se të rrëzohej e të tërhiqej zvarrë nga populli, qqë kishte dalë në rrugë.

Por pasi mbyllet një kapitull i trishtë i historisë, një tjetër pavion shumë më interesant shfaqet. Secili vizitor mund të degustojë pijet tradicionale vendase, e pse jo mos marrë me vete një shishe kujtim nga kantina e njohur “Skënderbeu” apo një suvenir nga Shqipëria.
Një muze që i kishte munguar Durrësit, por që duke nisur nga e hëna kushdo mund ta vizitojë.
M.B.





