Një aksident është shënuar mëngjesin e sotëm në zonën e Plazhit, në lagjen 13 të Durrësit, ku një këmbësor është përplasur nga një taksi teksa po kalonte te vijat e bardha.
Nga përplasja e fuqishme, këmbësori i moshës rreth të 60-ve ka përfunduar në trotuar. Mësohet se në vendngjarje kanë mbërritur të parët efektivët e Policisë Bashkiake Durrës, të cilët kanë rrethuar vendngjarjen dhe kanë njoftuar homologët e tyre të Rendit si dhe Urgjencën e spitalit lidhur me aksidentin.
I plagosuri është transportuar me autoambulancë drejt spitalit. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, ai ka marrë fraktura të shumta në gjymtyrë, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, sipas burimeve nga vendngjarja, autoambulanca u vonua rreth 25 minuta për të mbërritur në vendin ku ndodhi aksidenti.





