Gjatë vitit të kaluar shkollor 2025 – 2026, në institucionet arsimore publike dhe jo publike të Durrësit janë kryer gjithsej 37.205 depistime nga stafi i Shërbimit Stomatologjik Publik dhe 15.532 proçedura stomatologjike.
Spostimi i pikës qendrore të shërbimit stomatologjik në një ambient të ri, më të përshtatshëm dhe me kushte më bashkëkohore pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Durrës e ka bërë atë edhe më të aksesueshme për prindërit edhe nxënësit.
“Në muajin prill, Shërbimi Stomatologjik, i cili më parë ndodhej në disa ambiente pranë Poliklinikës së Specialiteteve është vendosur në ambientet e NJVKSH Durrës. Ndryshimi i adresës ka pasur një impakt tepër pozitiv, pasi prindërit dhe fëmijët nga mosha 0-18 vjeç, që marrin shërbim pranë Klinikës stomatologjike e kanë më të aksesueshme”,- bën të ditur drejtoresha e NJVKSH Durrës, Fatbardha Jaho.
Shërbimi stomatologjik shtetëror i kushton një rëndësi primare parandalimit, edukimit për shëndetin oral dhe evidentimit të hershëm të problemeve dentare. Përveç këshillave të zakonshme për një ushqyerje të shëndetshme dhe larjen e rregullt të dhëmbëve 2 herë në ditë për fëmijët nga 1-18 vjeç, stomatologët apelojnë që vizitat të mos kryhen vetëm në rastet kur pacienti ka dhimbje.
“Është shumë e rëndësishme së pari që nxënësi apo fëmija të paraqitet pranë shërbimit tonë jo kur ka dhimbje. E rëndësishme është të vijë kur ka profilaksi. pacientët që paraqiten më shumë vijnë me procese karioze, të moderuara, por edhe të thella. Proceset si pulpitet apo gangrebat që paraqiten tek ne bëhen më të vështira nëse fëmija apo prindi nuk i qëndron në kokë fëmijës, që t’i kapë në kohë”,– thotë për “DurrësLajm” mjekja stomatologe Anda Tatani.
Vogëlushët, sidomos ata që vijnë për herë të parë në Shërbimin Stomatologjik, stafi mjekësor ka menduar t’i pajisë edhe me një certifikatë duke i kryer vizitat në një moment të këndshëm e duke i hequr frikën e ndërhyrjes në gojë.
Pranë kësaj pike ofrojnë shërbim 23 mjekë stomatologë, përgjatë fashës orare 08.00 -20.00.
M.B.





