Bashkimi Evropian pritet të propozojë këtë vjeshtë sanksione të reja dhe më të ashpra ndaj Rusisë, në një përpjekje për të rritur presionin mbi Moskën për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se në muajt e ardhshëm do të propozojë paketën më të gjerë të sanksioneve që nga fillimi i luftës.

Në një intervistë për gazetën gjermane Die Ëelt, Kallas tha se masat e reja mund të rrisin me rreth një të tretën numrin e kompanive dhe individëve rusë të sanksionuar. Kjo do të nënkuptonte rreth 1,000 persona dhe subjekte të tjera që mund të përfshihen në listën e sanksioneve.

“Presioni duhet të vazhdojë të rritet derisa Moska të ndalojë luftën”, tha Kallas.

Që nga nisja e pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës në vitin 2022, BE-ja ka miratuar 21 paketa sanksionesh ndaj Rusisë. Masat kanë prekur politikanë, drejtues ushtarakë, biznesmenë, oligarkë dhe kompani ruse.

Mbi 3,000 individë dhe subjekte janë aktualisht nën sanksione, ndërsa më shumë se 28 miliardë euro pasuri private janë ngrirë në vendet e BE-së. Sanksionet synojnë të kufizojnë aftësinë e Rusisë për të financuar dhe mbështetur luftën, duke goditur industrinë ushtarake, sektorin industrial dhe aktivitetet e eksportit.

Kallas tha se Rusia ka paguar tashmë një kosto të lartë për shkak të sanksioneve evropiane, duke e vlerësuar ndikimin ekonomik në më shumë se 1 trilion euro. Megjithatë, përpjekjet e fundit për zgjerimin e sanksioneve janë përballur me kundërshtime nga disa vende anëtare, të cilat kanë kërkuar përjashtime për të mbrojtur interesat e tyre ekonomike.

Paketa e 21-të e sanksioneve rrezikoi të bllokohej për shkak të kundërshtimit të Greqisë ndaj ndalimit të importit dhe transportit të gazit natyror të lëngshëm rus. Athina kërkoi dhe siguroi një përjashtim nga masa.

Ky zhvillim ngriti shqetësime në Bruksel se interesat ekonomike të vendeve anëtare mund të vendosen përpara përpjekjeve për të rritur presionin ndaj Rusisë. Kallas shprehu gjithashtu optimizëm për një afrim të politikës së sanksioneve mes SHBA-së dhe BE-së. Ajo tha se Uashingtoni dhe Brukseli mund të koordinojnë më ngushtë masat ndaj Moskës.

Në Bruksel është rritur shqetësimi edhe për të ardhmen e mbështetjes financiare për Ukrainën dhe politikës së sanksioneve ndaj Rusisë, veçanërisht pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.