Dy nxënës kanë humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri në një shkollë të mesme në jug të Filipineve.
Sipas autoriteteve, autori i ngjarjes ishte një nxënës i klasës së nëntë, i cili hyri në ambientet e shkollës me një pistoletë dhe një pushkë, duke qëlluar brenda klasës. Si pasojë, mbeti i vrarë një nxënës një vit më i madh se ai.
Pas sulmit, autori i dyshuar i dha fund jetës.
Ngjarja ndodhi në një shkollë të lidhur me Universitetin Ateneo de Zamboanga, në qytetin Zamboanga. Presidenti i universitetit, Ernald Andal, deklaroi se situata është vënë nën kontroll dhe nuk ka persona të tjerë të lënduar.
“Prioriteti ynë është siguria e të gjithë nxënësve”, tha ai.
Pamjet e transmetuara nga mediat lokale treguan nxënës dhe prindër të mbledhur jashtë shkollës, ndërsa në vendngjarje u angazhuan forca policie, ushtarë dhe ekspertë të kriminalistikës.
Kjo është ngjarja e dytë e tillë në Filipine brenda më pak se dy muajsh. Në qershor, të paktën tre nxënës humbën jetën dhe rreth 20 të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi me armë në një shkollë publike në Tacloban City.
Të shtënat në shkolla konsiderohen të rralla në Filipine, pasi vendi ka rregulla të rrepta për posedimin e armëve, megjithëse armët ilegale vijojnë të qarkullojnë





