Detaje të reja dalin nga vrasja e 20-vjeçarit francez, Migel Mendes, në Ksamil. I riu u gjet i pajetë rreth orës 05:15 në shezlongët e një plazhi, përpara një lokali, ndërsa dyshimet e para të Policisë janë se ai është goditur me thikë pas një konflikti.
Në qendër të hetimeve është 29-vjeçari Sokrat Vata, banues në Has, i cili dyshohet se është autori i ngjarjes.
Sipas informacioneve paraprake të Policisë, Vata është larguar menjëherë pas konfliktit dhe aktualisht shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
29-vjeçari dyshohet se ka një të kaluar kriminale në Britaninë e Madhe. Ai është arrestuar dhe dënuar në Angli në vitin 2024 për trafik droge.
Kush është Sokrat Vata?
Sokrat Vata u arrestua në Angli pasi u përfshi në dy raste të ndjekjes nga policia, të lidhura me trafikimin e kokainës dhe drejtimin e rrezikshëm të automjeteve.
Më 30 prill, policia në Kembrixh e pikasën duke drejtuar një makinë tip Toyota të vjedhur. Vata tentoi të largohej, por pasagjeri zbriti nga makina dhe ai vijoi arratinë në këmbë. Gjatë ndjekjes, hodhi një pako kokainë në shkurre, por u kap nga policia. Me vete iu gjetën edhe 560 paund, ndërsa rezultoi pozitiv në testin për drejtim automjeti nën efektin e drogës.
Ndërkohë, në një rast tjetër në Kent, më 13 prill, Vata nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe përplasi një automjet me targa të klonuara. Në makinë u gjetën qese me kokainë dhe targa.
Vata u arrestua më pas dhe përfundoi përpara Gjykatës së Kurorës së Kembrixhit, ku pranoi akuzat për posedim të drogës së klasit A me qëllim furnizimin, drejtim të rrezikshëm të automjetit, posedim kanabisi dhe drejtim nën efektin e drogës. Ai u dënua me pesë vite burg.
LEXONI EDHE:





