Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se anëtarësimi i Turqisë në Bashkimin Evropian nuk është më prioritet për Ankaranë, duke akuzuar Brukselin se nuk ka vullnet për ta pranuar vendin si anëtar me të drejta të plota.
Në një intervistë për emisionin “Al Muqabala” të Al Jazeera Arabic, Erdogan tha se Turqia nuk sheh më përparim real në procesin e anëtarësimit.
Sipas tij, nëse BE-ja nuk ndryshon qëndrim, “Evropa do të jetë humbësja”.
Erdogan foli edhe për marrëdhëniet me SHBA-në dhe avionët luftarakë F-35, duke thënë se ka marrë një premtim nga presidenti amerikan Donald Trump dhe pret që ai të zbatohet.
Në intervistë, presidenti turk trajtoi gjithashtu zhvillimet në Lindjen e Mesme. Ai u shpreh se prioritet për Ankaranë është rihapja e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa vlerësoi rolin e Katarit në përpjekjet për ndërmjetësim.
Erdogan bëri të ditur edhe se planifikon të vizitojë Sirinë dhe tha se Turqia do të vazhdojë të mbështesë stabilitetin e vendit.
Sa i përket Gazës, ai përsëriti se Ankaraja do të vazhdojë mbështetjen e saj dhe akuzoi Izraelin për vazhdimin e luftës. Ai foli gjithashtu për situatën në Liban, Sudan dhe Libi, duke theksuar se Turqia do të vazhdojë angazhimin e saj në këto vende.





