Po i drejtohemi fundit të verës, por për pushuesit dhe turistët e huaj që e kanë zgjedhur qytetin e Durrësit pikërisht këtë periudhë vjen për të katërtin vit radhazi panairi “Taverna e Adriatikut”, që konsiderohet si një festë e vërtetë e shijeve, traditës, artizanatit dhe muzikës.

Mbi 25 biznese dhe sipërmarrje private, ekspozuan në një pjesë të konsiderueshme të shëtitores “Taulantia” produktet lokale duke nisur nga vaji i ullirit, verërat dhe rakitë tradicionale, gjithë gamën e produkteve, që derivojnë nga mjalti etj.

Oferta më e mirë kulinare dhe artizane kishte zbritur në hapësirën publike më të frekuentuar të qytetit, duke u dhënë mundësi të gjithëve të provojnë ose marrin me vete një copëz Durrës.

Sipërmarrësi Ramadan Canaj merr pjesë për të katërtin vit në këtë panair dhe për të rikthimi çdo herë është edhe më i suksesshëm se një vit më parë.

Për bizneset që për herë të parë bëhen pjesë e panairit “Taverna e Adriatikut” pjesëmarrja është një mënyrë shumë e mirë për t’i prezantuar konsumatorëve më të mirat e gamës së produkteve të tyre.

Mes larmishmërisë së produkteve të punuara me mjaft përkushtim nga duart e artizaneve durrsake, titujve më të rinj të rinj të librave, veprave të artit apo degustimit të produkteve autentike shqiptare, turistët e huaj kanë pafund larmishmëri zgjedhjeje.

“Provova disa nga produktet këtu, sidomos vajin e ullirit që ishte shumë i mirë. Më pëlqyen shumë edhe produktet artizanale”.

“Na pëlqen shumë të njohim gatimet tipike shqiptare dhe kemi qëlluar me fat që ky panair u bë pikërisht në periudhën kur ne kemi ardhur me pushime. Është kaq bukur dhe mirë këtu”.

“Shumë bukur dhe një ambient i mrekullueshëm këtu. Ushqimet tuaja janë fantastike dhe më vjen mirë që pata fatin të provoj dhe degustoj shumë nga produktet tradicionale shqiptare këtu në panair”.

E enjtja ishte vetëm nata e parë e panairit, pasi ai do të jetë i hapur edhe të premten dhe të shtunën.

M.B.