Një nxënës 6-vjeçar në Indi ka humbur jetën pasi dyshohet se u godit me shuplakë nga mësuesja e tij brenda klasës dhe më pas është rrëzuar, gjë që dyshohet se ka shkaktuar vdekjen.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në vend, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të incidentit.
Sipas raportimeve të Al Jazeera, ngjarja ka ndodhur në një shkollë në Indi dhe është regjistruar nga kamerat e sigurisë brenda klasës. Pamjet e rënda tregojnë momentin kur mësuesja godet me shuplakë fëmijën. Pas pak, 6-vjeçari rrëzohet. Pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmën e nevojshme, fëmija ka humbur jetën.
Policia po heton rrethanat e incidentit, përfshirë atë që ndodhi para dhe pas goditjes së dyshuar. Pamjet e kamerave të sigurisë pritet të jenë një nga provat kryesore në hetim.
Vdekja e fëmijës ka shkaktuar reagime të forta, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë përgjegjësinë dhe shkakun e saktë të vdekjes.





