Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e shënuar në maj të vitit 2022 në Kassandra të Halkidikisë, Greqi, ku një shqiptar 52-vjeçar, dyshohet se sulmoi seksualisht një turiste 22-vjeçare në një plazh të izoluar.
Identifikimi i të dyshuarit kryesor u bë i mundur pas hetimeve laboratorike, ku mostra e ADN-së e marrë nga hambari ku jetonte ai u përputh plotësisht me materialin gjenetik të mbledhur gjatë ekzaminimit të ngjarjes.
Mediat greke raportojnë se, pas zbulimit të kësaj prove, 52-vjeçari u largua nga territori grek, çka solli lëshimin e një urdhër-arresti evropian ndaj tij. I kërkuari u lokalizua dhe u arrestua së fundmi në Mal të Zi nga autoritetet vendase.
Tashmë kanë nisur procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Greqisë, ku ai do të paraqitet para drejtësisë për t’u përballur me akuzat.





