Kryeministri Edi Rama vijon takimet e punës me strukturat drejtuese të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar. Pas takimit me drejtuesit politikë socialistë në 12 qarqet e vendit dhe krerët e komisioneve parlamentare, Rama do të zhvillojë sot një tjetër takim në Pogradec, këtë herë me ministrat e qeverisë.

Takimi pritet t’i kushtohet bilancit të punës së deritanishme, por edhe përcaktimit të objektivave dhe prioriteteve për vitin e dytë të mandatit të katërt qeverisës.

Mbledhje të tilla pune janë zhvilluar edhe në të kaluarën nga kryeministri Rama, kryesisht në periudhën pas përfundimit të sezonit veror, me synimin për të përcaktuar agjendën politike dhe qeverisëse për muajt në vijim.

Një ditë më parë, Rama zhvilloi në Pogradec një takim disaorësh me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në qarqe dhe drejtues të komisioneve parlamentare.

Në qendër të diskutimeve ishin disa prej dokumenteve të prezantuara nga kryeministri në fund të korrikut, mes tyre “Besa”, që lidhet me qasjen e re të PS-së gjatë mandatit të katërt dhe fokusin tek problematikat e qytetarëve.

Në diskutime u përfshi edhe “Pasqyrë Albania”, platforma përmes së cilës synohet që shqetësimet e qytetarëve të regjistrohen, të ndiqen dhe të adresohen në kohë reale.