Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, 23 gusht, në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një çift bashkëshortor është plagosur me armë zjarri.

Sipas zëdhënëses së Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, ata janë gjetur të plagosur në dhomën e tyre të gjumit.

Të plagosurve u është dhënë ndihma e parë mjekësore dhe më pas janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Sipas burimeve nga QKUK, gruaja ishte shtatzënë në javën e 34-t të shtatzënisë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

Ndërkohë, burri i plagosur ndodhet në gjendje shumë të rëndë. Ai është i intubuar dhe po i nënshtrohet ekzaminimeve të nevojshme.

Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me rrethanat e ngjarjes apo autorin e dyshuar.