Pirgje me mbeturina, bimësi e tharë dhe një investim që duket se nuk është finalizuar.

Kjo është pamja që ofron në këtë fund gushti parku i ri urban në zonën e Spitallës, pranë shkollës 9-vjeçare “Demokracia”.

Vendin e hapësirave të gjelbëra plot bar dhe bimë e pemë dekorative, që dukeshin aq bukur në fotot e projektit e ka zënë bimësia, që po thahet për një pikë ujë.

Pak më tej, mes shtigjeve të mbushura me çakull, që gjarpërojnë përgjatë gjatësisë së kanalit të mbyllur, mbijnë tubat që janë lënë mbi tokë, të pasistemuar.

Prej kohësh, aty nuk ka më asnjë punëtor të firmës zbatuese të projektit.

Nuk dihet nëse investimi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit quhet i mbyllur në këtë hapësirë urbane të lagjes nr.15, por banorët që shpresonin se do të bëhej një park me kënde lojërash, terrene sportive, zona pushimi për të moshuarit etj kanë mbetur të zhgënjyer.

“Është futur gjithë ai material aty dhe gjë nuk u bë. U nis me ato pamjet e bukura thamë do bëhet mrekullia, do luajnë kalamajtë, do kënaqen. Asgjë s’u bë. U bënë ato blloqet aty, u bënë dhe ca barishte dhe kaq”.

“U mbulua kanali, është gjë e mirë, sepse vinte erë. Po këtu kanë marrë kanë mbjellë disa shkurre dhe ato u thanë”.

“Pisllëk i madh, gjynaf. Gjithë ky investim, nuk po përdoret siç duhet. Nuk po jep rezultatin e mirë, që të ketë lezet një gjë e re që bëhet”,- thonë për “DurrësLajm” disa nga banorët e zonës.

Një tavolinë pingpongu, që duket aq këndshëm në foto, në realitet duket si e hedhur aty mes çakullit dhe e paaftë ta kryejë funksionin e saj.

Më shumë se një destinacion modern dhe mikpritës për qytetarët e çdo moshe, parku urban duket si një hapësirë e braktisur, që nuk ofron as ndriçim, pavarësisht se infrastruktura është vendosur, por nuk është lidhur.

Me mbylljen dhe rehabilitimin e kanalit të ujërave të larta, qyteti do të përfitonte një hapësirë publike prej 1.3 kilometrash, e cila synonte të shndërrohej në një zonë shlodhjeje dhe argëtimi për komunitetin.

Por aktualisht investimi i FSHZH-së, që ende nuk i është dorëzuar bashkisë Durrës, duket mjaft larg imazhit të bukur të fotove 3D.

M.B.