Një alarm për bombë ka vënë në lëvizje mëngjesin e sotëm policinë e Durrësit.

Në pamjet që “DurrësLajm” po publikon vihet re që efektivët e rendit kanë rrethuar me shiritë sigurie një bllok pallatesh në lagjen nr.4 në qytetin bregdetar, pranë shkollës “Bedrie Bebeziqi”.

Ka qenë një qytetar që ka njoftuar policinë e Durrësit, mëngjesin e kësaj të enjteje, pasi në momentin kur ka zbritur nga automjeti ka vënë re një celular, tek i cili ishte lidhur një sasi lënde plasëse.

Në vendngjarje ka prezencë të madhe policie, ndërsa pritet mbërritja e forcave xheniere për të bërë çaktivizimin e lëndës eksplozive.

Policia ka pezulluar ndërkohë qarkullimin e mjeteve dhe kalimtarëve në këtë aks rrugor.