Gjithçka është gati për ndeshjen e parë të sezonit në shtëpi. Këtë të diel në mbrëmje, Teuta do të luajë kundër Tiranës, duke nisur nga ora 21:00, në stadiumin “Niko Dovana”.
Një klasike që ka prodhuar shumë rivalitet dhe luftë sportive në dekadën e fundit, jo vetëm në fushën e blertë, por edhe për atmosferën në tribuna.
Për këtë duel kaq interesant, klubi ka planifikuar edhe një organizim të veçantë, ndaj tifozët duhet të mbushin shkallët e stadiumit për të shijuar një mbrëmje ndryshe të futbollit shqiptar.
Do të jetë një spektakël i vërtetë, me plot surpriza, ndaj tifozët nuk duhet ta humbasin këtë premierë.
Trajneri Edlir Tetova kërkon të debutojë me fitore në krye të ekipit të zemrës dhe, për ta arritur këtë objektiv, e ka të gjithë grupin në dispozicion.
Në stërvitjet e fundit, tekniku është fokusuar te loja fluide dhe goditjet në portë. Barazimi me Partizanin tregoi aspektet ku ekipi duhet të përmirësohet dhe pritet që në ndeshjen e radhës Teuta të japë performancë më të mirë, pasi durrsakët kërkojnë 3 pikët në ndeshjen e parë në shtëpi.





