Një 24-vjeçare po lufton me jetën në Greqi, pasi dyshohet se partneri i saj 29-vjeçar e përplasi me automjet pas një konflikti mes tyre.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth mesnatës të së martës, më 1 shtator, në Igumenicë. Sipas informacioneve paraprake, çifti kishte pasur një debat.
Sipas raportimeve të mediave lokale, 29-vjeçari ka vënë në lëvizje automjetin, duke bërë që 24-vjeçarja të rrëzohej dhe të pësonte plagë të rënda.
E reja është transportuar dhe po merr trajtim në Spitalin e Përgjithshëm Universitar të Janinës, ku gjendja e saj raportohet të jetë kritike.
Policia e ka arrestuar 29-vjeçarin mëngjesin e së mërkurës. Gjatë arrestimit, ai dyshohet se ndodhej nën ndikimin e alkoolit.
Ndaj tij është ngritur kallëzim për tentativë vrasjeje, si dhe për shkelje të Kodit Rrugor.
I arrestuari pritet të paraqitet para Prokurorisë së Shkallës së Parë të Thesprotisë, ku do të vijojë procedura ligjore.





