“Çdo nismë që vjen nga Kongresi amerikan duhet marrë seriozisht”, thotë sipas Radio Evropa e Lirë Ivan Vujaçiç, ish-ambasador i Serbisë në Shtetet e Bashkuara.

Kështu e komenton ai projektligjin e paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili kërkon masa ndaj Serbisë për shkak të prapakthimit demokratik dhe raporteve të saj me Rusinë dhe Kinën.

Projektligji, në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje, është paraqitur nga republikani Joe Wilson dhe demokrati Bill Keating.

Vujaçiç vlerëson se nisma nuk pritet të ketë ndonjë ndikim të menjëhershëm në marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-së, por se përbën një sinjal të rëndësishëm në Kongres, pasi vjen nga përfaqësues të të dyja partive.

“Është gjithashtu domethënëse që për këtë po flitet në këtë mënyrë, në një formë konkrete – gjë që kohët e fundit nuk ka qenë praktikë”, thotë ai.

Nisma e Wilsonit dhe Keatingut vjen pasi Shtetet e Bashkuara dhe Serbia nisën në mes të korrikut Dialogun Strategjik, me synimin për të thelluar bashkëpunimin.

Në projektligj parashihet, gjithashtu, që Dialogu Strategjik të kushtëzohet me trajtimin e çështjeve që lidhen me marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, Kinën dhe Iranin, si dhe me gjendjen e demokracisë në Serbi.

Lidhur me këtë nismë, Departamenti amerikan i Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë vetëm se “pret me kënaqësi bashkëpunimin me Serbinë për sigurimin e stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë dhe Presidenca e Serbisë nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it lidhur me projektligjin e kongresistëve amerikanë.

Në projektligj thuhet, gjithashtu, se Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin sanksione financiare dhe kufizime vizash ndaj aktorëve të dëmshëm që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

Sanksione parashihen edhe ndaj personave që kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të cilësdo zonë apo shteti në rajon.

Projektligji kërkon masa edhe ndaj atyre që në Ballkanin Perëndimor përfshihen në minimin e proceseve dhe institucioneve demokratike, në korrupsion apo në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Sanksione parashihen edhe për pengimin e marrëveshjeve dhe kornizave rajonale që lidhen me sigurinë, paqen, bashkëpunimin ose njohjen e ndërsjellë.

Projektligji titullohet “Akti për Mbështetjen e Sundimit të Ligjit, Ndërtimin e Drejtësisë Institucionale dhe Llogaridhënies”, apo shkurt “SRBIJA Act”.