Një ditë më parë, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Durrës u miratua lista parapake me emrat e 8782 qytetarëve, që pritet të përfitojnë grantin e dëmshpërblimit për dëmet e shkaktuara nga tërmeti në banesat e tyre. Nga ky grant do të përfitojnë qytetarët, banesat e të cilëve kanë dëmtime në nivelin DS1, DS2 dhe DS3 dhe që aplikuan gjatë muajit shkurt në programin e Rindërtimit “Shtëpia ime”.
Pranë redaksisë së DurrësLajm, shumë qytetarë, që për arsye të ndryshme nuk kanë aplikuar në këtë program, shtrojnë pyetjen nëse do të rihapet edhe njëherë aplikimi, për t’u dhënë edhe atyre mundësinë të plotësojnë procedurat dhe të përfitojnë në të ardhmen vlerën e dëmshpërblimit të akorduar nga qeveria.
Kësaj pyetjeje iu përgjigj gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, nënkryetari i bashkisë, Florian Tahiri.
Gjatë fjalës së tij, nënkryetari deklaroi se bashkia i është drejtuar me një kërkesë qeverisë për rihapjen edhe njëherë të aplikimeve për të gjithë ata qytetarë që nuk patën mundësi ta bënin gjatë muajit shkurt.
“Vendimmarrja për këtë i takon qeverisë. Nëse pushteti qendror do të hapë dritën jeshile për rihapjen e aplikimeve, të gjithë qytetarët që nuk aplikuan herën e parë do të mund ta bëjnë. Por deri tani nuk kemi marrë përgjigje, kështu që jemi në pritje”,– tha Tahiri.
Në programin e Rindërtimit “Shqipëria ime” aplikuan rreth 12.500 qytetarë të Durrësit, banesat e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i frikshëm i 26 nëntorit 2019.
M.B.





