Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me ndryshimet që bëri Mali i Zi në Kushtetutë, duke hequr imunitetin për kryeministrin dhe ministrat për veprën penale të korrupsionit.
Bardhi shprehet se në Shqipëri ndodh e kundërta, duke shtuar se kryeministri Edi Rama, ndryshe nga homologu malazez, e mbron dhe e forcon korrupsionin. Ai thotë se kur SPAK kërkoi pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra, Rama propozoi një mbrojtje tjetër shtesë nga drejtësia për veten e ministrat e tij.
Sipas Bardhit, dallimi mes Kryeministrit malazez dhe Ramës është si dita me natën. Sipas tij, njëri i jep çdo liri drejtësisë për të hetuar korrupsionin, tjetri i vendos pengesa ligjore.
“Në Shqipëri ka ndodhur e kundërta. Kur SPAK kërkoi pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra, Edi Rama propozoi një mbrojtje tjetër shtesë nga drejtësia për veten dhe ministrat: ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, në mënyrë që SPAK-u të mos ketë asnjë mundësi të kërkojë dhe gjykata asnjë mundësi të pezullojë nga detyra Kryeministrin, ministrat dhe funksionarë të tjerë të lartë gjatë procedimit penal. Dhe nuk i mbaroi këtu aktet kundër integrimit europian të vendit. Refuzoi me votë në Parlament heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke nxitur vendosjen e kushteve të reja nga Brukseli për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Sot, trajtimi i çështjes së imunitetit nga Parlamenti përbën një nga kushtet kyçe për mbylljen e negociatave.”, tha ai.
Më tej, ai shton se Shqipëria nuk mund të mbahet peng nga Rama.
“Por Shqipëria nuk ka pse të mbahet më peng nga halli personal i Edi Ramës dhe nevoja e tij për t’u mbrojtur nga drejtësia. Shqipëria nuk ka pse të paguajë për hallin personal të Edi Ramës me të ardhmen e saj europiane. Sot, interesi i vendit është të ecë përpara. Dhe për këtë, Edi Rama duhet të largohet”, përfundon Bardhi.





