Një situatë e rëndë raportohet në fshatrat e Niklës, në Bashkinë Krujë, ku zjarri vijon të jetë aktiv prej orëve të paradites. Kryetari i PD, dega Krujë, Aulon Kalaja, përmes një denoncimi nga terreni, kërkon ndërhyrje urgjente nga ajri, duke deklaruar se deri më tani nuk është parë asnjë helikopter në zonë.
Sipas Kalasë, flakët po favorizohen nga erërat e forta dhe, nëse situata nuk vihet nën kontroll, zjarri rrezikon të përparojë në drejtim të territoreve të Bashkisë Tiranë.
“Orët e natës do të jenë të vështira”, paralajmëron Kalaja, duke theksuar se zonat e banuara ndodhen shumë pranë vatrave të zjarrit. Ai u bën thirrje autoriteteve për ndërhyrje të menjëhershme me mjete ajrore, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve dhe rrezikimin e banorëve.
Reagimi i plotë:
Kërkojmë ndërhyrje urgjente nga ajri në fshatrat e Niklës, Bashkia Krujë, që po digjen fuqishëm që rreth orës 10:00, e deri tani. Asnjë helikopter nuk është dukur mbi këtë zonë dhe po vazhdoi kështu, zjarri do përparojë drejt territoreve të Bashkisë Tiranë. Orët e natës do jenë të vështira, sepse në zonë ka prani erërash të forta. Zonat e banuara janë shumë afër.





