Qeveria amerikane ka vendosur sot në “listën e zezë” një bankë turke, Golden Global Bank, duke e akuzuar se ka transferuar fonde në favor të autoriteteve iraniane.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, kishte paralajmëruar në fillim të kësaj jave se synonte të vendoste sanksione ndaj një institucioni të ri financiar, me qëllim shtimin e presionit ndaj Teheranit.

“Golden Global Yatirim Bankasi Anonim Sirketi (Golden Global Bank) dhe filialet e saj kanë lehtësuar transaksione me vlerë prej disa dhjetëra milionë dollarësh në emër të Gardës Revolucionare të Iranit, ushtrisë ideologjike të vendit”, thuhet në njoftimin e Departamentit amerikan të Thesarit.

Sipas njoftimit, banka ka lehtësuar transferimin e fondeve iraniane jashtë vendit.

Me urdhër të presidentit Donald Trump, Bessent është ngarkuar të drejtojë frontin ekonomik të fushatës amerikane kundër Iranit, pasi deri tani fuqia ushtarake nuk ka arritur ta detyrojë Teheranin të tërhiqet.

Në fillim të javës, gjatë deklaratave në samitin e G20-s të zhvilluar në SHBA, Bessent tha se dy banka ishin vënë në shënjestër nga Departamenti i Thesarit, por pa i bërë publike emrat e tyre.

Javën e kaluar, Uashingtoni përjashtoi nga sistemi financiar amerikan degën e bankës shtetërore egjiptiane Misr në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e akuzuar se kishte marrë pjesë në transaksione financiare me Iranin.

Sanksionet nënkuptojnë ndalimin e kompanive dhe qytetarëve amerikanë për të bashkëpunuar me subjektet që vendosen në shënjestër nga Departamenti i Thesarit.