Banorët e Poliçanit janë ngritur sërish në protestë kundër reformës territoriale dhe planit për shkrirjen e Bashkisë Poliçan. Konkretisht protesta është zhvilluar në ditën kur ka nisur edhe “Prania Besnike”, por sipas protestuesve, në Poliçan nuk ka shkuar asnjë deputet për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve. Në shesh janë bashkuar banorë dhe përfaqësues të pushtetit vendor, ndërsa 15 anëtarët e Këshillit Bashkiak të Poliçanit kanë dhënë dorëheqjen unanime.
Pas tyre ka dhënë dorëheqjen edhe lista pasardhëse. Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Mimoza Kula, tha se kundërshtimi nuk lidhet me godinën e bashkisë, por me institucionin dhe shërbimet që marrin qytetarët.
Ajo ka paralajmëruar edhe pasojat që, sipas saj, mund të sjellë reforma për banorët e zonës. Sipas kryetares së Këshillit Bashkiak, ndryshimi i strukturës administrative mund të ndikojë edhe në vlerën e pronave dhe në vazhdimin e zbrazjes së qytetit. Kula ka deklaruar ndër të tjera se banorët nuk do të tërhiqen nga kundërshtimi i reformës dhe paralajmëroi vijimin e protestave edhe përpara Parlamentit.
“Ne nuk mbrojmë godinën, por mbrojmë institucionin. Këshilli Bashkiak, pasi zhvilloi takimet në njësitë administrative Vërtop, Tërpan dhe Poliçan, mori vendimin unanim të kundërshtojë shkrirjen e Bashkisë Poliçan. Jemi kundër një reforme që mund të sjellë dhe humbjen e vendeve të punës për shumë profesionistë dhe punonjës në administrata, shërbime e fusha të tjera, sepse pas çdo vendi pune është një familje. Pas çdo shërbimi është një qytetar dhe pas çdo familjeje që largohet është një tjetër hap drejt zbrazjes së qytetit dhe territorit. Ne nuk pranojmë që qyteti ynë të shkrihet. Nëse do të shkrini Bashkinë e Poliçanit, ne do të vijojmë protestat. I bëjmë thirrje të gjitha bashkive të cilat rrezikojnë, të na bashkohen në protestën tonë, që do vijojë përpara Parlamentit. Besa është vota jonë, zoti Kryeministër, ne ua dhamë besën juve, por ju nuk e mbajtët besën ndaj nesh”, përfundoi Kula.





