Forcat e Armatosura vijojnë angazhimin në terren për shuarjen dhe vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit në disa zona të vendit.
Sipas njoftimit të ministrisë së Mbrojtjes, në qarkun Fier, në fshatin Drizë-Radostinë, bashkia Fier, janë angazhuar 55 efektivë, të mbështetur nga dy helikopterë të Forcës Ajrore. Si pasojë e situatës, janë evakuuar edhe 10 familje.
Ndërkohë, në Njësinë Administrative Ungrej, në bashkinë Lezhë, po operojnë 80 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga një helikopter i Forcës Ajrore.
Në fshatin Qinam, Zall-Herr, janë angazhuar pesë automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura dhe një helikopter i Forcës Ajrore. Sipas autoriteteve, zjarri në këtë zonë konsiderohet i fikur.
Situata po monitorohet edhe në Dajt, ku vijon angazhimi i 30 efektivëve të FA-së dhe një helikopteri të Forcës Ajrore.
Në Mallunxë të Matit, në terren janë 30 efektivë dhe një automjet zjarrfikës i Forcave të Armatosura. Aktualisht, sipas njoftimit zyrtar, nuk ka rrezik për banesat.
Forcat e Armatosura deklarojnë se vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë dhe në mbështetje të komuniteteve në zonat ku paraqitet nevoja për ndërhyrje.





