Një gjykatë në Egjipt ka dhënë dënimin me vdekje për prezantuesen e njohur televizive Sarah Khalifa dhe 11 persona të tjerë, në kuadër të një çështjeje të gjerë penale që lidhet me prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Khalifa, 39 vjeçe, është e njohur në Egjipt për programin televiziv “Mission Impossible”, i cili trajtonte kryesisht çështje të sigurisë dhe kriminalitetit.
Sipas mediave shtetërore egjiptiane, gjykata në Kajro i shpalli fajtorë të pandehurit për krijimin e një grupi të organizuar kriminal, i cili dyshohet se siguronte materiale të përdorura për prodhimin e drogave sintetike me qëllim trafikimin e tyre. Në dosje përfshihen gjithashtu akuza për posedim dhe mbajtje të armëve dhe municioneve pa leje, shkruan Guardian.
Autoritetet egjiptiane thanë se gjatë hetimeve u sekuestruan më shumë se 750 kilogramë lëndë narkotike dhe materiale të papërpunuara, ndërsa në dy apartamente u zbuluan ambiente që dyshohet se përdoreshin si laboratorë për prodhimin e drogave. Në operacion u gjetën edhe armë dhe municione të palicencuara.
Vendimi për dënimin kapital u dha pasi gjykata kërkoi opinionin fetar të Myftiut të Madh të Egjiptit, procedurë që kërkohet nga ligji egjiptian në çështjet ku parashikohet dënimi me vdekje. Vendimi nuk është ende përfundimtar dhe mund të apelohet.
Khalifa, përveç aktivitetit televiziv, zotëron edhe një klinikë të kirurgjisë estetike dhe një kompani produksioni që merret me organizimin e eventeve dhe festave.
Në një tjetër çështje të lidhur me dosjen, prezantuesja dhe disa nga të pandehurit janë dënuar me pesë vite burg, pas akuzave për rrëmbimin dhe sulmin ndaj një të riu.
Egjipti parashikon dënimin me vdekje për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë vrasjen e paramenduar, terrorizmin, disa raste përdhunimi dhe trafikimin e drogës.
Sipas Komisionit Egjiptian për të Drejtat dhe Liritë, gjatë vitit 2025 në vend janë dhënë 541 vendime me dënim me vdekje.





