Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me shqiptarët në New Jersey, ku foli për betejën e tij politike, ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara dhe mbështetjen që, sipas tij, ka marrë nga komuniteti shqiptar në SHBA.
Duke iu referuar ndalimit të hyrjes në SHBA katër vite më parë, kreu i PD-së tha se kjo, sipas tij, ishte një “agresion i drejtpërdrejtë” ndaj dinjitetit të tij. Berisha tha se, pavarësisht kësaj, vijoi betejën e tij, duke theksuar besimin te Shtetet e Bashkuara dhe vlerat mbi të cilat, sipas tij, është ndërtuar ky vend.
Berisha akuzoi gjithashtu kundërshtarët e tij se kishin vepruar kundër tij, duke deklaruar se disa prej tyre “përfunduan të papunë”, ndërsa të tjerë janë shpallur “non grata” në vendin e tyre ose ndodhen “prapa hekurave”.
“Ata që na treguan në barin, përfunduan të papunë. Ata që firmosën ndalimin tim, sot janë ‘non grata’ në vendin e tyre. Ata që përgatitën mashtrimin tim ndaj meje në Shqipëri, janë prapa hekurave, ndërsa unë po qëndroj me dy këmbë në atë tokë që ata mendonin të ma ndalonin përgjithmonë”, tha Berisha.
Në fund të fjalës së tij, kryetari i PD-së shprehu mirënjohjen për shqiptarët në SHBA, ndaj administratës së presidentit Donald Trump dhe sekretarit të Departamentit të Shtetit për vendimin e heqjes së ‘non gratas’ ndaj tij.
Sali Berisha, në takim me shqiptarët e Amerikës në New Jersey: Ne jemi shqiptarë, ndaj dhe luftojmë për kombin tonë në kushte të pabarabarta, për dinjitetin e tij. Ndaj dhe ditë si kjo, në dukje të pamundura, ne i bëjmë të mundura. Kjo ditë shënon një nga ato raste.
Forca e të keqes, që të gjithë e njohin, në një agresion të drejtpërdrejtë ndaj dinjitetit tim, më mohoi hyrjen në SHBA katër vite më parë, në një kohë kur isha 8 vite pa asnjë pushtet, thuajse i tërhequr plotësisht nga jeta politike.
Por, me fuqinë që na karakterizon ne si shqiptarë, me besimin te SHBA, vlerat mbi të cilat është ndërtuar ky vend dhe komb i madh, vend i të lirëve, shtëpi i guximtarëve, i qartë se kjo padrejtësi nuk po vinte nga SHBA, por po vinte nga axhendat antiliri, antikomb, të asaj që vetë presidenti Donald Trump e ka emërtuar si ekstremi i majtë.
Duke mbajtur në mend shprehjen e një prej burrave legjendarë të SHBA-së, Abraham Lincoln, që thotë se “rëndësi nuk ka sa herë rrëzohesh, po sa herë ngrihesh”. Dhe unë vendosa të ngrihem. Vërtet e nisa këtë betejë në pamundësi të plotë, por asnjë natë nuk zgjat pafundësisht.
Në të njëjtën kohë që zhvillova këtë betejë, populli amerikan vendosi të ngrihej duke zgjedhur si president Donald Trump. Bota e lirë filloi të ngrihej nga agresioni i ekstremit të majtë dhe efektet erdhën deri në Shqipëri.
Ata që na treguan në barin, përfunduan të papunë. Ata që firmosën ndalimin tim, sot janë ‘non grata’ në vendin e tyre. Ata që përgatitën mashtrimin tim ndaj meje në Shqipëri, janë prapa hekurave, ndërsa unë po qëndroj me dy këmbë në atë tokë që ata mendonin të ma ndalonin përgjithmonë.
Ndaj dhe unë sot kam një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, burra, gra, djem dhe vajza, shqiptarë që më mbështetët në orët më të para dhe më të vështira.
Mirënjohje ndaj administratës së presidentit Donald Trump, sekretarit të Departamentit të Shtetit, për vendimin e tij.





