Një problem që përsëritet prej disa sezonesh verore vijon të shqetësojë qytetarët dhe turistët në një nga zonat më të frekuentuara të Durrësit.

Bëhet fjalë për rrugën “Kap.Qemal Hate” që lidh shëtitoren “Taulantia” me zonën pranë mureve të Kalasë së Durrësit, ku gjatë grumbullimit të mbetjeve nga kazanët, rruga mbetet shpesh e lagur nga lëngjet që dalin prej tyre dhe që derdhen nga kamionët e pastrimit.

Lëngu i mbetjeve, i cili mbetet në asfalt pas kalimit të kamionit, përhap një erë të rëndë, që në ditët e nxehta të verës bëhet edhe më e fortë. Era ndihet në të gjithë zonën, duke krijuar një situatë aspak të përshtatshme për një hapësirë që frekuentohet çdo ditë nga qytetarë, pushues dhe turistë.

Në këtë zonë kalojnë vizitorë që vijnë për të shëtitur përgjatë shëtirores “Taulantia”, për të vizituar monumentet e trashëgimisë kulturore apo për të kaluar kohë në një prej pjesëve më panoramike të qytetit.

Por përballë një prej pikave më të rëndësishme turistike të Durrësit, vizitorët përballen me një tjetër realitet: erën kundërmuese dhe gjurmët e lëngjeve në rrugë.

Banorët e pallateve përreth ndeshen me të njëjtë situatë problematike çdo ditë, mbi të gjitha pas orës 15:00, koha kur kazanët merren nga kamionët e pastrimit. Gjatë transportimit dhe zbrazjes së mbetjeve, lëngjet që krijohen nga dekompozimi i tyre rrjedhin në rrugë dhe meqënëse ato nuk pastrohen asnjëherë, mbeten dhe ngjisin në asfalt. Gjithçka e shoqëruar nga era kundërmuese!

E njëjta situatë është përsëritur gjatë disa sezoneve verore, veçanërisht në periudhat kur temperaturat janë të larta, çka bën që këto mbetje kthehen në një burim të fortë ere, duke ndotur ajrin dhe duke cenuar edhe imazhin e zonës.

Do të ishte e udhës që të kryhej ndërhyrja e duhur nga ana e Ndërmarrjes së Shërbimit Komunal, jo vetëm për pastrimin e rrugës pas grumbullimit të mbetjeve, por edhe për gjetjen e një zgjidhjeje që do ta parandalonte përsëritjen e këtij problemi.

Një nga masat që mund të shqyrtohet është trajtimi i sipërfaqes së rrugës me një solucion, pluhur absorbues apo material të posaçëm, që do të pengonte ngjitjen dhe qëndrimin e gjatë të këtyre lëngjeve në asfalt, krahas larjes dhe dezinfektimit të rregullt të rrugës.

Në një qytet turistik si Durrësi, pastërtia e hapësirave publike është pjesë e drejtpërdrejtë e imazhit që u përcillet vizitorëve. Edhe kërkesa e qytetarëve është e thjeshtë: rruga të pastrohet, të dezinfektohet dhe të gjendet një zgjidhje që lëngjet e mbetjeve të mos mbeten në asfalt dhe të mos kthehen në burim të erës së rëndë për të gjithë zonën!