Kreu i Grupit Parlamentar të PL-së, Tedi Blushi ka kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar pas denoncimeve të bëra një ditë më parë nga ish zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj, i cili publikoi audio-përgjime që sipas tij, zbulojnë një skemë të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të armëve.

Blushi i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, duke kërkuar që të verifikohen veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shqetësore në lidhje me kontrollin dhe mbikëqyrjen e veprimtarive të dyshuara të trafikut ndërkombëtar të armëve pas audiopërgjimeve të bëra publike nga Arben Ahmetaj.

Blushi kërkon gjithashtu që komisioni duhet të marrë dëshmi nga kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, drejtuesin e KAYO dhe të tjerë.

“Pretendimet dhe materialet e bëra publike më 7 shtator 2026 kanë ngritur një çështje me rëndësi të veçantë publike dhe shtetërore lidhur me funksionimin e mekanizmave të kontrollit të shtetit shqiptar mbi qarkullimin ndërkombëtar të armëve.

Rëndësia e çështjes nuk qëndron në marrjen e mirëqenë të akuzave të bëra publike, por në nevojën për të përcaktuar, mbi bazën e dokumenteve dhe fakteve të verifikueshme nëse institucionet shtetërore kanë përmbushur detyrimet e tyre ligjore dhe kushtetuese për parandalimin, kontrollin dhe zbulimin e veprimtarive të paligjshme të lidhura me trafikun ndërkombëtar të armëve.

Për shkak të natyrës së çështjes, implikimeve të mundshme për sigurinë kombëtare, integritetin institucional, kontrollin e kufijve dhe detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, vlerësojmë se ekzistojnë kushtet kushtetuese dhe ligjore për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar.”, thuhet në kërkesë.