Policia ka shoqëruar katër persona lidhur me shpërthimin e ndodhur mëngjesin e sotëm në karburantin “Eida” në zonën e Brrylit në Tiranë. Bëhet fjalë për drejtuesin e automjetit që po furnizohej me gaz në momentin e shpërthimit, menaxherin e pikës, administratorin dhe drejtuesin teknik.
Shoqërimet janë kryer në kuadër të hetimit për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive për ngjarjen, e cila shkaktoi plagosjen e tre punonjësve dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas të dhënave paraprake të Policisë, dyshohet se shpërthimi ka ndodhur gjatë kohës që një automjet po furnizohej me karburant, ndërsa në ambientet e pikës kishte pasur rrjedhje gazi.
Nga shpërthimi, mbetën të plagosur tre punonjësit e karburantit, të cilët janë transportuar në Spitalin Universitar të Traumës dhe ndodhen në gjendje të stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.





