Në të njëjtën orë kur në Polin e Drejtësisë u mblodhën në një mbledhje të jashtëzakonshme 271 gjyqtarë duke kërkuar zbatimin e vendimit të kushtetueses për pagat, në komisionin parlamentar të ligjeve ishte ministri i drejtësisë Toni Gogu i cili u pyet nga demokrati Saimir Koreshi për zgjidhjen.
Ministri i Drejtësisë nga përgjigja e dhënë la të kuptohet se qeveria nuk ka ndërmend të tërhiqet nga pozicioni aktual dhe zgjidhja do të vijë nga diskutimet në parlament.
“Po si dhatë rrogat këtyre, po nuk morën rrogat…se kryetari grupit parlamentar të juaj tha: 17-ta, e zgjidh…”, u shpreh Korreshi.
“Unë besoj se me datën që tashmë ju të nderuar deputetë keni vendosur, në kalendarin që keni miratuar, tashmë po zbatoni vendimin e miratuar të Gjykatës Kushtetuese dhe ato detyra që gjykata kushtetuese juve ju kishte ngarkuar ku këshilli legjislacionit ku dhe ju keni përfaqësinë tuaj, mendoj se i ka trajtuar me seriozitet.
Nuk jam këtu që të komentoj vonesën e Kuvendit, ashtu siç nuk jam të komentoj edhe vonesat në arsyetimet të vendimeve gjyqësore që në fund të ditës krijojnë situata jo serioze për shtetin e së drejtës. Do ta trajtoni me përgjegjshmërinë që meriton shëndeti i buxhetit të shtetit por gjithashtu me seriozitetin që meriton zbatimi i plotë i vendimit të gjykatës kushtetuese”, tha ministri.





