Pasditja e kësaj të enjteje banorët e Durrësit të Ri i gjeti sërish në protestë për të disatën herë. Të mbështetur nga dega lokale e PD-së ata dolën për të kërkuar dëmshpërblimet e munguara, të cilat nuk i kanë marrë, edhe pse nga periudha janar 2025-janar 2026 janë përmbytur tre herë dhe janë pasur dëme të konsiderueshme në banesat e tyre.

Në fjalën e tyre, banorët kujtuan faktin se disa muaj më parë ata kanë nënshkruar një peticion me rreth 800 firma, i cili është dërguar në Bashki, ku kërkohet dëmshpërblim për përmbytjet dhe ende dhe sot nuk kanë marrë përgjigje.

Por dëmshpërblimet nuk janë i vetmi shqetësim që banorët ngrenë. Problematikat e zonës së tyre lidhen kryesisht me shërbimet që duhet t’u ofrojë pushteti vendor dhe institucionet në varësi të tij.

Ndërsa kemi hyrë në stinën e vjeshtës, banorët i tremben përmbytjes së radhës, që mund të regjistrohet kur të ndodhin shirat e para. Sipas tyre në terren nuk është marrë asnjë masë për parandalimin e tyre.

Ndërkohë, banorët ngrenë zërin dhe për infrastrukturën rrugore në Njësinë Administrative nr. 6, e cila numëron rreth 25 mijë banorë, por ofron rrugë të paasfaltuara apo investime të pa përfunduara në kuartallet e kaësaj lagjeje të Durrësit.

Mungesa e kazanëve të mbeturinave, ndotja mjedisore, mungesa e ndriçimit etj janë vetëm disa nga problematikat për të cilat banorët ngritën zërin sot dhe mbajtën të bllokuar për rreth një orë rrugën “Vëllazërimi”.

Protesta u monitorua gjatë të gjithë kohës nga efektivët e policisë, të cilët devijuan trafikun në rrugë dytësore të zonës për aq kohë sa vijoi bllokimi i aksit “Vëllazërimi”.