Kur flitet për traumën, zakonisht mendohen ngjarje të veçanta dhe të rënda, si fatkeqësitë natyrore apo abuzimi. Por ekziston edhe një formë tjetër që shpesh kalon pa u vënë re: trauma financiare.

Për disa njerëz, marrëdhënia e vështirë me paratë nuk nis në moshë të rritur. Ajo mund të formohet që në fëmijëri, veçanërisht kur familja përballet vazhdimisht me mungesë parash, pasiguri ekonomike apo pamundësi për të përballuar nevojat bazë.

Në vitet e fundit, trauma financiare është bërë gjithnjë e më e pranishme, ndërsa inflacioni, pagat që nuk ecin me të njëjtin ritëm me koston e jetesës dhe rritja e çmimeve të banesave ushtrojnë presion mbi familjet.

Por shqetësimi për paratë nuk është gjithmonë thjesht frikë nga gjendja ekonomike e momentit. Për shumë njerëz, ai shkon shumë më larg, deri në fëmijëri. Ekspertët theksojnë se kujtimet e para që kemi për paratë dhe mënyrën se si flitej për to në familje mund të ndikojnë në mënyrën se si sillemi me to gjatë gjithë jetës.

Shkrimtarja D.E. Anderson ka folur më herët për sa pak njihet trauma financiare dhe sa thellë mund të ndikojë ajo. Ajo e ka përshkruar si një seri modelesh që njerëzit që janë rritur pa shumë para duhet t’i thyejnë kur më në fund arrijnë të kenë të ardhura të qëndrueshme.

Ndikimi mund të jetë real dhe i fortë. Disa specialistë të shëndetit mendor kanë argumentuar madje se varfëria duhet të konsiderohet një përvojë e pafavorshme e fëmijërisë, pasi pasojat e saj mund të lidhen me mirëqenien mendore dhe sociale edhe në moshë të rritur.

1. Ankth dhe shmangie sa herë që bëhet fjalë për para

Ndikimi i traumës financiare mund të jetë shumë më i madh nga sa duket. Sipas psikologut kërkimor Galen Buckwalter, i cili është marrë me traumën financiare, pasojat në disa raste mund të ngjajnë me ato që shfaqen te çrregullimi i stresit post-traumatik.

Për disa njerëz, kjo mund të shfaqet përmes sulmeve të panikut ose ankthit të fortë. Për të tjerë, shfaqet më në heshtje: shmangia e faturave, mosbërja e një plani financiar ose refuzimi për të folur për paratë.

Në vend që të përballen me çështjet financiare, ata mund t’i shtyjnë vazhdimisht, sepse vetë ideja e përballjes me to u shkakton stres.

2. Shpenzime të pakontrolluara ose kursim i tepruar

Njerëzit që janë rritur në familje me vështirësi financiare mund të përpiqen, në mënyra të ndryshme, të kompensojnë mungesën që kanë përjetuar në fëmijëri.

Disa mund të bëhen shpenzues të pakontrolluar. Pasi janë rritur duke mos pasur mundësi të blejnë atë që dëshironin, në moshë të rritur mund t’i japin vetes gjithçka që duan, edhe kur nuk kanë mundësi ta përballojnë.

Të tjerë mund të shkojnë në drejtimin e kundërt dhe të bëhen tepër kursimtarë. Mund të shmangin çdo shpenzim që nuk është absolutisht i domosdoshëm dhe të ndihen në ankth edhe kur duhet të blejnë diçka që u nevojitet.

Në të dyja rastet, sjellja mund të lidhet me mënyrën se si mungesa e parave është përjetuar gjatë fëmijërisë.

3. Vështirësi për të vendosur kufij financiarë dhe për të kërkuar atë që meritojnë

Vendosja e kufijve nuk është gjithmonë e lehtë, por për njerëzit që janë rritur me pasiguri financiare, paratë mund të jenë një nga fushat ku kjo bëhet veçanërisht e vështirë.

Kjo mund të shfaqet në situata si marrëveshjet financiare, negociatat për pagën ose kërkesa për rritje page. Në vend që të kërkojnë atë që mendojnë se meritojnë, disa njerëz mund të zgjedhin të heshtin nga frika se mos humbasin edhe atë që kanë.

E njëjta gjë mund të ndodhë edhe në karrierë. Një person mund të qëndrojë për një kohë të gjatë në një punë ku nuk ndihet i vlerësuar ose paguhet më pak nga sa duhet, thjesht sepse ndryshimi i duket më i rrezikshëm se qëndrimi në një situatë të njohur.

Frika se mos kërkojnë më shumë dhe përfundojnë pa asgjë mund të bëjë që disa njerëz të sabotojnë pa dashje mundësitë e tyre për një të ardhme më të mirë.

Sa e përhapur është trauma financiare?

Sipas të dhënave të cituara në artikull, rreth 25% e amerikanëve kanë përjetuar traumë financiare, ndërsa te brezi i mijëvjeçarëve shifra shkon deri në një në tre persona.

Megjithatë, të kuptuarit e ankthit financiar është vetëm hapi i parë. Ekspertët sugjerojnë që njohja e situatave që e shkaktojnë këtë ankth dhe përballja gradualisht me sjelljet shmangëse mund të ndihmojnë në ndryshimin e marrëdhënies me paratë.

Për disa njerëz, mund të jetë e dobishme edhe mbështetja e një profesionisti të shëndetit mendor që merret posaçërisht me traumën financiare. Kërkimi i ndihmës nuk është shenjë dobësie, por mund të jetë një mënyrë për të kuptuar më mirë modelet e trashëguara nga fëmijëria dhe për të mos i përcjellë ato më tej. /Anabel