Shkollat, kopshtet dhe çerdhet në Durrës janë gati për nisjen e vitit të ri shkollor. Bashkia e Durrësit ka përfunduar përgatitjet për pritjen e nxënësve dhe fëmijëve, ndërsa fokusi këtë vit është vendosur te kushtet dhe infrastruktura arsimore.

Në një reagim të publikuar në Facebook nga kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, Drejtoresha e Arsimit dhe Kulturës, Migena Muhaj, ka bërë një pasqyrë të masave të ndërmarra dhe përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Shkollat e Durrësit janë gati të hapin dyert për nxënësit, në një tjetër vit të rëndësishëm të dijes dhe edukimit të tyre. 🏫📚🧑‍🏫

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, Drejtoresha e Arsimit dhe Kulturës, Migena Muhaj, ka bërë një pasqyrë të masave të marra dhe përgatitjeve të realizuara nga Bashkia e Durrësit për të garantuar një fillim sa më të mbarë.

Bashkia e Durrësit ka vijuar angazhimin e saj për përmirësimin e infrastrukturës arsimore. Në çerdhet, kopshtet dhe shkollat e Durrësit, mijëra fëmijë do të zhvillojnë procesin mësimor në ambiente bashkëkohore me kushte optimale të edukimit dhe mësimdhënies.
Sepse çdo investim tek fëmijët është një investim tek e ardhmja e qytetit.

Le të jetë ky një vit shkollor i suksesshëm, i mbarë dhe plot arritje për fëmijët, mësuesit, prindërit dhe gjithë stafin arsimor!”, njofton Sako.

Ndër të tjera, një rezyme në nisje të këtij viti të ri shkollor në Durrës, e ka bërë dhe drejtoresha e Arsimit dhe Kulturës e cila cilëson se:

“Kemi investuar në godina të reja, në rikonstruksione dhe në përmirsimin e vazhdueshëm të infrastrukturës arsimore. Kemi shkolla 9 vjeçare dhe gjimnaze që hapin dyert këtë vit. Jemi kujdesur për mirmbajtjen e ambienteve të brendshme dhe të jashtme.”, shprehet ndër të tjera drejtoresha e Arsimit dhe Kulturës Migena Mulaj.