Një vit i ri shkollor nisi sot në të gjitha institucionet arsimore të ciklit parauniversitar të bashkisë Durrës.

Mes buqetave shumëngjyrëshe për mësueset e tyre dhe emocioneve që për herë ta parë do të ulen në bankat e shkollës, nxënësit e klasës së parë ishin ata që ethet e ditës së parë i përjetojnë më shumë.

Oborri i shkollës 9 – vjeçare “Marie Kaçulini” ishte mbushur këtë të hënë si radhë herë me prindër dhe nxënës. Krahas nxënësve të saj, kjo shkollë mirëpret në orarin e pasdites edhe gjimnazistët e shkollës “Gjergj Kastrioti”, ndërsa do të nisë nga 1 tetori edhe programin “Pas shkolle”.

“Aktualisht jemi në fazën, ku mësuesit po aplikojnë për programin. Patjetër që interesi është shumë i lartë, si nga mësuesit, edhe nga nxënësit, por edhe nga prindërit. Për momentin, aplikimet për nxënësit nuk janë hapur, ato do të bëhen në në platformën digjitale SMIP”,- bëri të ditur për “DurrësLajm”, drejtoresha e kësaj shkolle, Etleva Çelmeta.

Risia për këtë vit shkollor është programi “Pas shkolle”, që do të nisë të aplikohet në 26 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme të bashkisë Durrës. Ky program jashtëshkollor, pritet të jetë një ndihmesë për prindërit, të cilët shprehen mjaft të kënaqur me nismën e Ministrisë së Arsimit.

Këtë 14 shtator, jo të gjitha shkollat e Durrësit hapin dyert, pasi “Met Hasa”, “Bajran Curri”, etj janë ende në proces rikonstruksioni. Këtë vit, në 54 institucionet e arsimit parauniversitar në bashkinë Durrës do të studiojnë rreth 26 mijë nxënës, nga të cilët 1900 nxënës do të ulen në klasën e parë, ndërsa në vitin e parë të shkollës së mesme do të studiojnë 2050 gjimnazistë.

M.B.