Një kontroll blic, i urdhëruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), është kryer në paraburgimin e Bradasheshit, në sektorin ku ndodhet i izoluar biznesmeni Ergys Agasi, i arrestuar në fund të muajit gusht dhe i pandehur për aferën e AKSHI-t.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se në kuzhinën e sektorit u gjetën dhe sekuestruan pije alkoolike dhe pajisje Wireless.

Ergys Agasi u arrestua në fund të gushtit në qytetin e Durrësit pas më shumë se 8 muajsh në arrati. Ai akuzohet se në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë të dosjes AKSHI kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal.

Agasi akuzohet për disa vepra të rënda penale, përfshirë grup të strukturuar kriminal, korrupsion aktiv, pastrim parash, konkurrencë të paligjshme, heqje e paligjshme e lirisë dhe shkelje të barazisë në tendera.