Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka njoftuar se do të japë dorëheqjen nga posti më 27 shtator. Gjatë një interviste në televizionin serb Pink, Vuçiç tha se pas largimit nga detyra do t’i bashkohet fushatës zgjedhore si një “qytetar i zakonshëm” dhe do të përballet në televizion me ata që synojnë të marrin pushtetin.
“Dua t’ju njoftoj se më 27 shtator do të jap dorëheqjen nga posti i presidentit. Atë mbrëmje do t’u drejtohem qytetarëve dhe do t’i falënderoj për mbështetjen. Kam qenë presidenti i Republikës për kohën më të gjatë që nga vendosja e sistemit shumëpartiak në vendin tonë. Këtë nuk do të mund ta bëja pa qytetarët e këtij vendi. E vetmja gjë që mund të them është se i kam shërbyer me besnikëri Serbisë dhe qytetarëve të saj, me përkushtim dhe duke luftuar”, u shpreh Vuçiç.
“Më pas do të shkoj në fushatën zgjedhore të 25 tetorit si një qytetar i zakonshëm”, shtoi ai.
Vuçiç tha se pas dorëheqjes dëshiron të udhëtojë në fshatrat më të largëta të Serbisë dhe të takohet me qytetarët.
“Kam marrë edhe një automjet, kam edhe makinën time. Kam marrë edhe një kamping, pasi nuk do të mund të fle kudo. Do të shkoj në fshatrat më të largëta, do të qëndroj deri vonë. Ka ende shumë fshatra ku nuk kam qenë. Dua të vizitoj edhe qytetet, të flas me njerëzit para dyqaneve, para lokaleve”, deklaroi ai.
Presidenti serb foli edhe për pritshmëritë e tij nga zgjedhjet, duke thënë se do të ishte personalisht i pakënaqur nëse rezultati do të ishte nën 50%. Ai tha gjithashtu se, nëse humbet, do ta pranojë rezultatin pasi të jenë numëruar 65-70% e votave.
Vuçiç u ndal edhe te kundërshtarët e tij politikë dhe lëvizja studentore. Ai kritikoi bllokadat e fakulteteve në kuadër të protestave studentore, duke deklaruar se ato nuk kanë të drejtë t’i shndërrojnë fakultetet në seli të partive politike.
“Koha e çmendurisë ka kaluar. Qytetarët e Serbisë nuk janë më aq budallenj ose të frikësuar sa ishin një vit më parë”, tha Vuçiç.
Ai foli edhe për të ashtuquajturin “top zëri”, duke pretenduar se videoja që shkaktoi polemika ishte e montuar. Sipas tij, në video ishte shtuar zhurma e një avioni që ngrihej, duke krijuar përshtypjen se njerëzit në rrugë ishin rrëzuar.
“Ky është një regjistrim i inskenuar”, pretendoi ai, ndërsa vlerësoi punën e Prokurorisë së Lartë Publike.
Vuçiç paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e dhunës politike, duke akuzuar kundërshtarët e tij se e kanë sjellë shoqërinë serbe “në prag të humnerës” dhe në prag të vendosjes së “tiranisë së plotë”.
Presidenti serb tha se ishte krenar që qëndronte në krye të një liste me njerëz që, sipas tij, duan të mbrojnë demokracinë dhe nuk do të lejojnë totalitarizmin.
Ai pranoi gjithashtu se ndien përbuzje për disa prej kundërshtarëve të tij politikë, duke e cilësuar këtë si gabimin e tij.
“Shpesh e fajësoj veten që i përçmoj disa prej tyre, dhe ky është gabimi im i madh. Për këtë, u kërkoj falje qytetarëve të Serbisë”, tha Vuçiç.
Serbia do të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare më 25 tetor. Më 9 shtator, Vuçiç shpërndau zyrtarisht Kuvendin dhe firmosi dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pas muajsh tensionesh politike dhe protestash kundër korrupsionit.
Vetë Vuçiç, mandati i dytë dhe i fundit presidencial i të cilit do të përfundonte në vitin 2027, do të udhëheqë listën zgjedhore të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) dhe është kandidati i saj për postin e kryeministrit.
Zgjedhjet zhvillohen në një klimë të fortë polarizimi politik, pas protestave të nisura pas tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor 2024. Përballë SNS-së pritet të garojnë edhe lista e studentëve, e dalë nga lëvizja protestuese, si dhe koalicione të tjera opozitare.





