Zgjedhjet e së dielës në Berlin dhe në landin Meklenburg-Pomerani Perëndimor pritet të jenë një provë e rëndësishme për kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe partinë e tij, CDU. Sondazhet tregojnë rënie të ndjeshme të mbështetjes për kristiandemokratët, ndërsa Alternativa për Gjermaninë (AfD) po shënon rritje.
Në Meklenburg-Pomerani Perëndimor, CDU parashikohet të marrë vetëm rreth shtatë % të votave, ndërsa AfD renditet shumë më lart, me rreth 37%. SPD, e drejtuar nga kryeministrja e landit Manuela Schwesig, ndodhet rreth 35%, ndërsa Die Linke rreth 10% dhe të Gjelbrit rreth pesë %.
Edhe në Berlin situata nuk është e favorshme për CDU-në. Sondazhet e fundit e vendosin partinë mes 15 dhe 20%, rreth nëntë pikë më pak krahasuar me vitin 2023. AfD llogaritet rreth 18 për qind, ndërsa SPD rreth 12%. Die Linke shkon në rreth 20% dhe të Gjelbrit në 16%.
Rënia e CDU-së ka shtuar diskutimet për të ardhmen politike të Merz. Politologia Ulrike Guerot thotë se brenda partisë ekziston shqetësimi se CDU mund të mos arrijë pragun prej 5% në Meklenburg-Pomerani Perëndimor, çka do ta nxirrte nga parlamenti rajonal. Sipas saj, një rezultat i tillë do të ishte një goditje e madhe për partinë.
Merz ka anuluar pjesëmarrjen e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork dhe ka thirrur një takim urgjent të drejtuesve kryesorë të CDU-së për mbrëmjen e së dielës, kur priten rezultatet e para të zgjedhjeve.
Në parti kanë nisur gjithashtu diskutimet për atë që mund të ndodhë pas zgjedhjeve. Zyrtarisht nuk flitet për zëvendësimin e Merz, ndërsa brenda CDU-së përmenden emra të tjerë si Daniel Günther dhe Hendrik Ëüst. Megjithatë, 11 kryeministra të landeve të drejtuara nga kristiandemokratët kanë publikuar një deklaratë në mbështetje të kancelarit.
Markus Söder, kreu i CSU-së bavareze, ka paralajmëruar se një krizë brenda CDU-së do t’i shërbente AfD-së. Brenda partisë, Merz po përballet me kritika nga dy krahë: disa e akuzojnë se nuk po mban një qëndrim mjaftueshëm të fortë ndaj AfD-së, ndërsa të tjerë e kritikojnë për afrimin me këtë forcë politike.
Ekspertët e shohin situatën si një pasqyrim të pasigurive politike në Gjermani. Politologia Ursula Münch thotë se disa zëra brenda CDU-së po flasin për një krizë të mundshme, ndërsa ajo u bën thirrje politikanëve të moderuar të ruajnë qetësinë.
Në Berlin, zgjedhjet kanë një rëndësi të veçantë edhe për postin e kryebashkiakut. Nëse CDU humbet, posti mund të kalojë te Elif Eralp, kandidate e Die Linke, nëse kjo forcë siguron mbështetjen e SPD-së dhe të Gjelbërve. Eralp, vajza e aktivistëve sindikalistë turq, është bërë një nga figurat e fushatës së majtë, e cila është fokusuar kryesisht te çështja e strehimit dhe situata në Gaza.
Në Meklenburg-Pomerani Perëndimor, beteja kryesore pritet të zhvillohet mes AfD-së dhe SPD-së së Manuela Schëesig. Kjo e fundit kërkon të ruajë drejtimin e landit dhe paraqitet si një nga pengesat kryesore ndaj zgjerimit të së djathtës ekstreme në lindje të Gjermanisë.
Rezultatet e së dielës pritet të japin një sinjal të rëndësishëm për forcën e CDU-së dhe për pozicionin e Merz brenda partisë. Për shumë votues, zgjedhjet shihen edhe si një test për drejtimin që po merr politika gjermane dhe për rritjen e AfD-së.





