Rusia po përgatitet për një luftë më të gjerë kundër vendeve që mbështesin Ukrainën, madje edhe duke nisur sulme me raketa në territorin e tyre, tha kryeministri polak Donald Tusk, duke cituar inteligjencën perëndimore.
Paralajmërimi i kryeministrit polak erdhi pasi Varshava vendosi të mbyllë përkohësisht hapësirën e saj ajrore, të vërë në gatishmëri avionët luftarakë dhe të pezullojë operacionet e aeroportit në përgjigje të sulmit të fundit rus.
Duke folur para parlamentit polak, Tusk tha se agjencitë perëndimore të inteligjencës kanë konfirmuar se Vladimir Putin po përgatitet për një konflikt më të gjerë.
“Ne e dimë se ai po planifikon diçka të keqe. Megjithatë, detyra më e rëndësishme për ne është të përgatitemi për skenarë të ndryshëm. Ne nuk do të pranojmë me naivitet mesazhet se Rusia ka vullnet të mirë dhe se do të fillojë të sillet siç duhet. Nuk ka asnjë tregues për këtë.”, tha kryeministri polak.
Tusk argumentoi se informacioni në dispozicion të agjencive perëndimore është “shumë i qëndrueshëm dhe bindës” dhe paralajmëroi se Moska në të ardhmen mund t’i paraqesë sulmet si “aksidente” për të testuar vendosmërinë e NATO-s.





