Nga Gëzim KABASHI
Nga libri “Me artistët e qytetit” Botimet Jozef 2023
Ky shkrim i publikuar në vitin 2011 synon të rikthejë në vemendje kontributin e rëndësishëm të artistëve durrsakë në 50 edicionet e para të Festivalit të Këngës në Radio-Televizion rtsh

“Lemza” feston 50-vjetorin

Është një këngë e muzikës së lehtë që këtë fundviti feston 50-vjetorin e lindjes.

Haxhi Rama, autori i tekstit të “Lemzës”, këngës së kompozitorit Agim Krajka, që vazhdon të këndohet edhe sot ka të njejtën moshë me Festivalin e këngës në Radio, siç quhej në ato fillime kur televizioni ishte një ëndërr.

Mjeshtri i Madh Haxhi Rama, i cili më vonë paraqiti bashkë me Krajkën edhe pesë këngë të tjera kujton se “Lemza” nuk u përfshi në këngët finaliste dhe për pasojë nuk u paraqit në natën e fundit të Festivalit.

Haxhi Rama, një nga përfaqësuesit e shumtë të Durrësit në festivalin më të madh të vitit nga bashkëpunimet me kompozitorin e shquar kryeqytetas ka fituar pesë çmime të dyta dhe një çmim të parë me tituj mjaft të njohur edhe tani si “Djaloshi dhe shiu”, “Ne jemi tre”, “Unaza”, “Jam një vajzë”, “S’e kam të lehtë” e “S’të harroj”.

Rama kujton edhe bashkëpunimet e mëvonshme me kompozitorët durrsakë Agron Xhunga e Zija SaraçI, ndërsa nuk le pa përmendur edhe Petraq Qafëzezin, krijuesin e tekstit të këngës së kompozitorit Nikolla Zoraqi “Nënave shqiptare”.

Gazetari dhe shkrimtari Met Dervishi ka kontribuar në festivalet e këngës me tekstin e “Erdhi bilbili”, ndërsa janë të njohura bashkëpunimet me prozatorin Bashkim Hoxha të një kompozitori tjetër të shquar së tepërmi për kolonat muzikore të 33 filmave artistikë, Haig Zacharian.

Pjesmarrës në 6 edicione të festivaleve, kryesisht në vitet 1970-1980 Zacharian ka sjellë në skenën e festivalit këngët “Është një qytet”, “Atdheu im e gjithë Shqipëria”, “Këngët tona” apo “Zëmërzjarrta”, interpretët e të cilave kanë qenë disa nga VIP-at e këgës shqiptare si Ema Qazimi, Tonin Tërshana, Luan Zhegu, Frederik Ndoci, etj.

Agron Xhunga është gjithashtu një nga kompozitorët e shquar durrsakë, pjesmarrës dhe fitues në festivalet e këngës, e bashkë me të Lejla Agolli e Maksim Shehu, edhe ky i fundit i njohur edhe si krijues i kolonave zanore filmike.

Shpresa Tafaj, dirigjentja e parë

Në festivalin e vitit 1976 Durrësi vendos një rekord tjetër. Orkestra e madhe e RTVSH drejtohet nga një vajzë durrsake, e cila sapo ishte diplomuar në degën e dirigjimit.

Shpresa Tafaj, 23 vjeç, bëhet dirigjentja e parë shqiptare dhe prezantohet në dy festivale radhazi, edicionet 16 dhe 17, dy veprimtari të cilat kishin grumbulluar në podium edhe mjaft durrsakë të tjerë. Tafaj, tashmë pedagoge në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” ka drejtuar orkestrën e madhe edhe në një nga festivalet e viteve 2000, pikërisht në edicionin 44.

Shumë më jetëgjatë në podet e drejtimit vazhdon të jetë Petrika Afezolli, dirigjent i Orkestrës së RTVSH prej shumë vitesh dhe një nga kontribuesit më të mëdhenj durrsakë në festivalet e këngës së fundvitit.

Besnik Taraneshi, ky “humbës” I madh

Nga edicioni i dytë i këngës në Radio, Durrësi ka një kujtim të hidhur. Këngëtari Besnik Taraneshi, që u njoh më vonë si “Djaloshi dhe shiu” humbi të drejtën e pjesmarrjes në të gjitha veprimtaritë e këngës për një “pikë”, të cilën ai e shqiptoi si dibran “pejk”. Ky ishte preludi më i hershëm i Festivalit famëkeq të 11-të të këngës në RTVSH, i cili “preu” mjaft koka të kulturës dhe artit shqiptar.

Zija Saraçi, Valentina Gjoni dhe Petrit Dobjani, tre “mosketjerët” e Durrësit në edicionin famëkeq arritën të shpëtojnë pa lagur nga “përmbytja” e madhe e Festivalit të 11. Ndoshta, sepse ashtu si shumica e këngëtarëve durrsakë në veprimtaritë e mëdha ata ishin punëtorë në ndërmarrje të ndryshme të qytetit, si Porti Detar apo Nish Cigare, dhe kënga për ta ishte vetëm pasion.

Një tjetër trio durrsake në Festivalin famëkeq ka qenë ajo e instrumentistëve Linda Zëmblaku në piano, Dash Hoxha në saksofon dhe Met Hushi në bateri, komponentë të orkestrës së tunxhit, që nën drejtimin e Gaspër Çurçisë bëri mjaft bujë në rrethet artistike të vendit.

Festivalet e viteve 1960-1970 janë dominuar nga prania e Qemal Kërtushës, një prej këngëtarëve nga Durrësi me numrin më të madh të pjesmarrjeve dhe të çmimeve të fituara.

Një tjetër durrsak i pranishëm me shumë sukses në katër edicionet e para të festivalit të muzikës së lehtë ishte Sotir Afezolli.

Pjesmarrje të panumërta ka edhe Parashqevi Simaku, këngëtarja nga Kavaja, e cila nisi të aktivizohet shumë shpejt me përfaqësuesen e këngës së Durrësit.

Në kapërcyellin e viteve 1970-1980 në skenën shqiptare mbërrijnë disa vajza të talentuara durrsake si Miga Hysi, Jolanda Dhamo, Ëngjëllushe Lazo, të cilat siç ishin paraprirë nga Valentina Gjoni u bashkuan në fund me Morena Rekën, një tjetër emër kumbues i muzikës së lehtë.

Më vonë përfaqësuesve durrsakë të këngës u janë shtuar Redina Tili, e famshme për këngën “Pesë fustane kam”, si dhe Denis Hasa e Artur Dhamo.

Ndërkohë në Festivalin e dytë, në fillim të viteve 1960 ka kënduar edhe studenti I atëhershëm Bujar Mersini, që është paraqitur me këngët “Riviera” dhe “Bregdet”, kjo e dyta kompozim i aktorit të madh të kinemasë Rikard Ljarja. Debutues në të njejtin festival ka qenë edhe Genc Mirdita i ndjerë, për prezencën e të cilit këmbëngul Naim Kërçuku, një tjetër përfaqësues i Durrësit në festivale.

“Kam kënduar në edicionet 8, 9 dhe 10-kujton me shumë kthjelltësi Kërçuku, që vijon me titujt e këngëve “Mbi trase” nga Platon Mezini, “Shokë të pandarë” nga Agim Prodani, “Shoqja e bankës” nga Aleksandër Lalo, “Stacioni i dashur” nga Agron Xhunga dhe më e njohura nga të gjitha “Bardhësi” nga Vakthi Sheme.

“Ishte koha kur këngët dubloheshin nga dy këngëtarë-thotë Naimi, që ndjehet mirë se ka konkuruar përballë Sherif Merdanit, Vera Dervishit e Justina Alisë.

Jo pak çmime për krijuesit durrsakë të këngës në ato vite, çmime që më të shumtën e herëve jepeshin nga organizatorët në formën e copave për kostum apo torkave të leshit për triko, gjë që nuk ka nevojë për koment.

Festivali më i rëndësishëm i vitit është zhvilluar çdo vit në Tiranë dhe për pasojë autorët dhe interpretët e tij ishin kryesisht artistë kryeqytetas.

Një festival i këngës së Durrësit në mesin e viteve 1960 u bë shkak që organizatorët t’ia besonin Edicionin e Tretë dy figurave mjaft të njohura të qytetit bregdetar. Artisti i Popullit, Gjergj Vlashi realizoi regjinë e Festivalit kombëtar të këngës, ndërsa Artisti i Merituar, Vangjel Heba, ishte spiker i tij.

Kjo përpjekje për të kujtuar kontribuesit durrsakë në festivalet e këngës në RTVSH nuk do të ishte e plotë pa përmendur instrumentistët e shkëlqyer durrsakë Dashnor Hoxha, Linda Zëmblaku, Met Hushi, Genc Cara, Gent Salillari, vëlla e motër Koç Driza e Nora Driza, violinistët Pandush Gjezi, Vaso Papa, Pëllumb Salillari i ndjerë, Ramazan Peku, Pirro Sota, etj., që të gjithë pjesë e ekipit përfaqësues të Durrësit në evenimentin e madh të muzikës së lehtë që pikërisht feston edicionin nr. 50.

In memoriam

Shaqir Kodra, meteori që kompozoi “Shokët”

Kompozitori Shaqir Kodra nuk jeton më që prej 15 vjetësh. Djaloshi i rrugicave të qytetit të vjetër ishte një nga muzikantët më të kompletuar të Durrësit, e me siguri më pasionanti.

Maturant i shkëlqyer, ai kishte ndërruar arkitekturën me muzikën, duke iu kushtuar krejtësisht instrumentave, dirigjimit e mbi të gjitha krijimit artistik, duke kompozuar dhjetra këngë të muzikës së lehtë, vepra sinfonike, rapsodi, kantata e poema.

Njeriu që ndërroi jetë mes partiturave muzikore ka hyrë në kujtesën kolektive të artistëve dhe artdashësve për këngën e mrekullueshme “Shokët”, të cilën e sollën në skenën e Festivalit të 15-të të këngës në Radiotelevizion këngëtarët e shquar Vaçe Zela dhe Luan Zhegu.

Shaqir Kodra u shua si të ishte një meteor në moshën 48-vjeçare dhe në rrugicën ku u rrit për tu bërë një nga muzikantët e mëdhenj të qytetit tingulli i pianos së tij do të jehojë përjetësisht.

Zija Saraçi, kantautori i festivaleve

Zija Saraçi është kantautori i vetëm i Festivaleve të këngës në radiotelevizion. Ai ka marrë pjesë në 10 festivale të këngës në radio-televizion, 7 prej të cilave si këngëtar dhe tre të tjera si kompozitor. “Vetëm një herë kam kënduar këngën që kisha kompozuar vetë – thotë Saraçi, në vitin 1989, kur këndova duet me Ëngjëllushe Lazon këngën “Ëndrra ime”.

Duket një ëndërr që është ndërprerë pikërisht 22 vjet më parë, pasi kishte pësuar një goditje të rëndë në gazetën “Zëri I popullit” në vitin 1974, kur emri i tij u përmend në artikullin “Të mos ambjentohemi me të huajën”. Zijai nuk e fsheh keqardhjen që edhe tani në vitet 2010 ka dërguar këngët e tij pranë jurisë dhe ka marrë përgjigje negative.

“Edhe në këtë festival jubilar kisha dëshirë të këndoja, ndoshta për herë të fundit-thotë ai. Pjesmarrja e një artisti të gjeneratës sime në vende të tjera do të ishte nder, por për fat të keq nuk ndodhi kështu në edicionin e 50-të të Festivalit, ku jam prezantuar plot 10 herë-shton ai.

Megjithatë Zija SaraçI mbetet një nga përfaqësuesit më të spikatur të Durrësit në skenën më të rëndësishme vjetore të këngës së lehtë shqiptare.

Nga edicioni i 9-të deri në atë të 14-të Zija Saraçi ka marrë pjesë pa ndërprerje.

“Kam debutuar me këngën “Nënë dhe shoqe” të kompozitorit Tasim Hoshafi, i cili më përzgjodhi në konkurimin e Zërave të Rinj dy muaj përpara veprimtarisë.

Po atë vit Saraçi këndon “Viti i ri” të Nexhmedin Dokos. Pastaj vijojnë: në Festivalin e 10-të këngët “Vajza me balonë” nga Aleksandër Lalo dhe “Horizontet” nga Aleksandër Peçi, në edicionin e 11-të që shkatërroi karrierën e dhjetra artistëve ai këndon “Sonte u takoj të gjithëve”, që u rendit e katërta pas grumbullimit të pikëve nga juritë në Tiranë dhe në rrethe.

Në tre festivalet e radhës nga i 12-ti te i 14-ti Zija Saraçi këndon “Nëpër ditët tona” të Kastriot Gjinit, së bashku me Ramadan Muhametin këndon “Qyteti I ri” të Rexhep Hasimit dhe “Urimi I bardhë” I N. Bulos.

Këngëtari durrsak rikthehet pas një mungese 8-vjeçare në vitin 1982 me këngën “Cili jam tani” të A. Rrëzës.

Në vitin 1986 ai dërgon në festival bashkëpunimin e tij si kompozitor me poetin Haxhi Rama. Kënga erdhi në skenë përmes interpretueses Jolanda Dhamo, e cila plotësonte treshen krijuese durrsake. Një vit më vonë, në 1987 një tjetër krijim I Zija Saraçit si kompozitor: “Pranë lapidarit”, kënduar nga Petrit Lulo.

Ylli Çifti: Sikur të mblidheshim përsëri

“Ka qenë një festival, kur Durrësi përfaqësohej me nëntë këngëtarë dhe grupi ynë i bënte karshillëk edhe Tiranës-tregon Ylli Çifti për paraqitjet e fundit të viteve 1970.

Ishte koha kur stafeta kalonte nga Naim Kërçuku, Zija Saraçi, Valentina Gjoni, Petrit Dobjani, Ramadan Muhameti e Ylli Çifti te më të rinjtë Jolanda Dhamo, Miga Hysi, Parashqevi Simaku dhe Ëngjëllushe Lazo.

Çifti është ngjitur në skenën më të rëndësishme të këngës shqiptare kur ishte 22 vjeç.

“Ishte Festivali i 12-të-dëshmon këngëtari që para katër ditësh ka festuar 59-vjetorin e lindjes. Debutova me këngën e Gaqo Avrazit “Shokë të pandarë” -kujton Ylli, duke shtuar: Një vit më parë isha ngjitur në të njejtën skenë me Kuartetin që shoqëronte këngët e festivalit, ndërsa tani më duhet të masja forcat me këngëtarët e njohur prej vitesh”.

Si punohej për përgatitjen e këngëve? “Ne shkëputeshim nga puna që më 1 dhjetor dhe qëndronim një muaj në hotel në Tiranë-sjell ndër mend Ylli edicionet ku ka marrë pjesë si këngëtar. Njiheshim me këngën, fillonim provat intensive me orkestrën”.

-A kishte diferencime me përfaqësuesit e kryeqyetetit – e pyesim. –Dihet, kompozitorët e njohur i sillnin këngët të fundit; ata zgjidhnin edhe këngëtarët me emër – tregon Ylli.

Në një festival Petrit Dobjani ka fituar çmimin e parë me këngën “Vajzat e fshatit tim”, që në atë kohë u bë hit, veçanërisht me tektin e Zhuljana Jorganxhi që niste me fjalët: “Anës e pas anës, lumit të fshatit tim…”.

Por çfarë ndodhi në natën finale? Petritit nuk iu përmend emri dhe këngën e interpretoi Alida Hisku – kujton Ylli Çifti, i cili njëlloj si Petriti në ato vite punonte në portin detar të Durrësit.

A ka ndonjë merak Ylli nga Festivalet? Mund të kem, por ajo që më pëlqen është që ne këngëtarët durrsakë të mblidhemi dhe të këndojmë edhe një herë, si dikur-përfundon Ylli Çifti, pjesmarrës në katër Festivale të këngës në RTVSH.

Nga edicioni 1-50, ja përfaqësuesit e Durrësit në festivalet e RTVSH*

Kompozitorë

Shaqir Kodra
Agron Xhunga
Hajg Zacharian
Lejla Agolli
Maksim Shehu
Zija Saraçi

Autorë tekstesh

Haxhi Rama
Petraq Qafzezi
Bashkim Hoxha
Met Dervishi

Këngëtarë

Besnik Taraneshi
Bujar Mersini
Qemal Kërtusha
Sotir Afezolli
Genc Mirdita
Vita Vilishtari
Valentina Gjoni
Petrit Dobjani
Zija Saraçi
Ylli Çifti
Naim Kërçuku
Ramadan Muhameti
Miga Hysi
Parashqevi Simaku
Ëngjëllushe Laze
Redina Tili
Artur Dhamo
Morena Reka
Denis Hasa

Dirigjent

Shpresa Tafaj
Petrika Afezolli

Instrumentistë

Dashnor Hoxha
Linda Zëmblaku
Genc Cara
Met Hushi
Gent Salillari
Koç Driza
Nora Driza
Pandush Gjezi
Vaso Papa
Pëllumb Salillari
Ramazan Peku
Pirro Sota

Prezantues

Vangjel Heba

Regjisor

Gjergj Vlashi