Konflikti mes rebelëve Houthi në Jemen dhe Arabisë Saudite është përshkallëzuar pas një vale të re sulmesh me raketa dhe dronë ndaj territorit saudit.
Zëdhënësi ushtarak i Houthive deklaroi se një numër i madh raketash balistike, raketash lundrimi dhe dronësh u lëshuan drejt disa “zonave tejet të ndjeshme” në Arabinë Saudite. Sipas tij, sulmet kishin në shënjestër kryesisht kryeqytetin Riad dhe qytetin bregdetar të Yanbusë, ku ndodhen objekte të rëndësishme të kompanisë shtetërore të naftës dhe gazit Aramco.
Houthit thanë se sulmet ishin një përgjigje ndaj asaj që e cilësuan si “krime” dhe rreth 300 sulme ajrore të kryera nga Arabia Saudite gjatë javës së kaluar ndaj kryeqytetit jemenas, Sanaa-s.
Pas sulmeve, pranë aeroportit ndërkombëtar të Riadit u raportua për ngritjen e shtëllungave të dendura të tymit të zi nga zonat e rezervuarëve të karburantit. Në kryeqytetin saudit u aktivizuan sirenat e mbrojtjes ajrore dhe qytetarëve iu kërkua të qëndronin në shtëpi.
Autoritetet saudite nuk kanë dhënë ende një koment zyrtar mbi përmasat e dëmeve apo mbi përdorimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot.
Ndërkohë, përveç sulmeve nga ajri, luftime të ashpra janë zhvilluar edhe në terren mes rebelëve Houthi dhe forcave qeveritare të mbështetura nga Arabia Saudite.
Sipas raportimeve, përplasjet e së shtunës kanë shkaktuar të paktën 48 viktima brenda 24 orëve, duke e rënduar më tej krizën humanitare në Jemen.





