Rreth 13 gëzhoja të kalibrit 9 milimetra janë sekuestruar nga policia si provë materiale në vendin ku u vra Artan Myrtaj në Sarandë, ndërsa policia ka marrë në pyetje rreth 20 persona qe ndodheshin në zonë në momentin e atentatit.

Hetuesit po punojnë edhe me kamerat e sigurisë në qytet, por një pjesë e tyre janë hapur dhe po analizohen, ndërsa të tjera ende nuk janë aksesuar. Ndërkohë, kontrollet vijojnë në akset dalëse të Sarandës ku janë ngritur postblloqe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Një nga pistat që po verifikohet është ajo e një atentati të kryer nga vrasës me pagesë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që vrasja të jetë pjesë e vazhdimit të konfliktit të nisur pas ngjarjes së korrikut të vitit të kaluar, ku u plagosën Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj. Deri tani, nuk ka ende një pistë të konfirmuar nga policia për motivin e vrasjes.

NGJARJA

Artan Myrtaj, 44 vjeç, u ekzekutua me armë zjarri nga dy persona që lëviznin me motor. Ngjarja u shënua rreth orës 09:55 tek ish-agjencia. Një plumb kapi edhe 73-vjeçarin Xhevdet Skëndaj, i cili po kalonte rastësisht aty.