Përmbytjet e mëdha të janarit të këtij viti lindën domosdoshmërinë e ndërhyrjes për pastrimin dhe mirëmbajtjen e kanaleve kulluese në të gjithë territorin e Bashkisë Durrës.

Ndërhyrjet nga mjetet e rënda të ndërmarrjes Rruga po vijojnë në disa zona të ndryshme dhe kanë për qëllim përmirësimin e sistemit të kullimit, rritjen e kapaciteteve të shkarkimit dhe parandalimin e problematikave, që mund të shkaktohen gjatë reshjeve.

Por pastrimi i kanaleve nuk është zgjidhja përfundimtare, pasi mirëmbajtja e tyre dhe evitimi i depozitimit të mbetjeve urbane në to është një hallkë edhe më e rëndësishme e procesit.

Për këtë nevojitet një bashkëpunim i ngushtë mes komunitetit dhe institucioneve vendore. Në funksion të krijimit të urave të bashkëpunimit, qendra “Durrësi aktiv” vendosi sot në zonën Shkozetit dy tabelat e para, me kod QR, që u japin mundësi banorëve të raportojnë ndotjen dhe bllokimet e kanalit përmes telefonit. 

“Ne kemi një projekt që quhet “Liro kanalin”, që vijon prej mëse një viti dhe përkon edhe me përmbytjet, që ndodhën në janarin e këtij viti.”,- thotë për “DurrësLajm” drejtuesi i projektit Klaudio Hyseni.

“Synimi jonë është që të angazhojmë komunitetin dhe të kemi më shumë bashkëpunim me institucionet tani që kanalet, një pjesë e mirë e tyre, janë pastruar dhe vijojnë të pastrohen. Pse jo të mos mbahen edhe pastër. 10 tabelat sinjalizuese që do të vendosen do të shtrihen përgjatë kanalit, duke filluar nga zona e ish-Kënetës duke vijuar deri në Shkozet. Ne ftojmë çdo qytetar që së pari të bashkëpunojë duke mbajtur pastër mjedisin dhe së dyti të raportojë çdo ndotje që mund të vijë nga qytetarë të tjerë apo biznese të ndryshme”,– bën të ditur specialistja e konunikimit, Livia Kreko.

Në zonën e ish-Kënetës ishin të pranishëm sot edhe përfaqësues të bashkisë Durrës dhe Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës Kanalizimeve, që inspektuan nga afër ecurinë e punimeve për pastrimin e kanalit të ujërave të larta.

Në kuadër të projektit “Liro kanalin” që mbështetet nga Green Al me fondet e qeverisë suedeze, planifikohen ndër të tjera të vendosen 10 tabela sinjalizuese në zonën e ish-Kënetës, Shkozetit dhe Porto Romanos.

M.B.