Ambasadorja e re e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka zhvilluar takimin e parë me kreun e Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho.

Përmes një njoftimi, Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë bëri të ditur se gjatë takimit u rikonfirmua mbështetja e BE-së për një SPAK të pavarur dhe efikas.

Në fokus të diskutimeve ishte lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, të cilat BE-ja i konsideron të rëndësishme për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

“Puna e SPAK-ut kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë është thelbësore për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e delegacionit të BE-së.

Ambasadorja Moreira de Sousa theksoi se Bashkimi Evropian do të vijojë të mbështesë punën e Prokurorisë së Posaçme.

“Në takimin tim të parë me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, rikonfirmova mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të BE-së për një SPAK të pavarur dhe efikas”, u shpreh ambasadorja.

Sipas saj, arritja e rezultateve konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet një element kyç në përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.