Kërkesa për blerje apartamentesh në Tiranë i është rikthyer trendit rënës të vitit 2024.

Në atë periudhë agjentët imobiliarë pohuan se rënia e kërkesës të blerësve me burime financime nga paraja informale, ishte ndikuar nga intensifikimet e hetimeve të SPAK për figura të politikës dhe sipërmarrjes.

Për segmentin e strehimit rënia e kërkesës u ndikua nga papërballueshmëria e çmimeve.

Agjentët e tregut të shitblerjes së pasurive të paluajtshme pohojnë se edhe aktualisht tregu ka shfaqur rënie të kërkesës, si për kategorinë e blerësve me burime të parasë informale, përfshirë edhe për blerësit për çështje strehimi.

Nga blerësit me para informale, shkaqet e rënies së kërkesës sërish lidhen me intensifikimin e hetimeve të SPAK, si dhe sekuestrimet e shumta të një objektesh në sektorin e pasurive të paluajtshme të grupeve kriminale.

Sipas agjentëve real estate hetimet dhe sekuestrimet e SPAK kanë ndikuar te ulja e kërkesës për dy kategori, së pari të punonjësve të administratës që më së shumti përdorin paranë informale për blerje pronash dhe rënie të kërkesës nga grupet kriminale.

Rënie ka pasur edhe për kërkesën reale që përbëhet nga kërkesa e familjeve të reja për strehim, apo ata që kërkojnë të bëjnë shtëpi për qëllime zgjerimi dhe kërkesa e bizneseve për qëllime investimi.

Papërballueshmëria vijon të ndikohet nga hendeku mes çmimeve të apartamenteve dhe të ardhurave të familjeve po kufizon kërkesën e familjeve të reja.

Agjentët e tregut të pasurive të paluajtshme pohojnë se në treg ka mungesë së ofertës me prona vlera e cilave arrin deri në 200 mijë euro, duke pamundësuar hyrjen në treg të blerësve për qëllime strehimi.

A ka nisur ngadalësimi i kërkesës të reflektohet në çmimet e apartamenteve?

Nga njoftimet e disa agjencive imobiliare, disa njësi në kullat e Tiranës po ofrohen me çmime promocionale, nën nivelet fillestare të kërkuara nga shitësit.

“Monitor” kontaktoi agjentë imobiliarë për një pronë në objektin “Tirana’s Rock”, ku çmimi promocional i ofruar ishte rreth 3,700–3,800 euro për metër katror, ndërsa sipas agjentëve, çmimet e zakonshme për prona të ngjashme në këtë objekt variojnë rreth 4,000–4,500 euro për metër katror. Për këtë treg çmimet e apartamenteve në Tiranë variojnë mbi 5 mijë euro për metër katror.

Nga të dhënat e publikuara së fundmi nga indeksi Keydata Albania të “Çelësi Media Group” rezulton se çmimet mesatare të apartamenteve që prej 3 mujorit të dytë të 2025 deri në tremujorin e dytë 2026 qëndrojnë në vlerat e mbi 2 mijë euro për metër katror.

Deri në muajin qershor 2026 çmimi mesatar i apartamenteve arriti në vlerën e 2,116 euro/m². Krahasuar me 3-mujorin e mëparshëm çmimin mesatar i apartamenteve është ulur me 1,2%.

Rënie është shënuar edhe për çmimin median nga 2,046 euro/m² që ishte 3-mujorin e mëparshëm deri në qershor të 2026 ka arritur në 1,982 euro/m². Rënia e çmimit median është me 3%.

Drejtuesi i “Çelësi Media Group” Ylli Sula më herët pohoi për Monitor se një ndër faktorët kryesorë të nisjes së rënies së çmimeve është ulja e tatimit për shitblerjen e apartamenteve nga nisja e zbatimit të procesit të rivlerësimit.

Sipas tij ulja e tatimit mbi fitimin nga shitja e pronës nga 15% në 5% me nisjen e rivlerësimit ka krijuar më shumë fleksibilitet për ata që kanë pasur nevojë ta shesin pronën sa më shpejt. Sipas tij, kjo ka bërë që në raste të tilla çmimet e shitjes të ulen me rreth 3–4%, pasi shitësit kanë pasur mundësi të negociojnë më shumë falë kostos më të ulët fiskale.

Procesi i rivlerësimit me tatim të reduktuar 5% nisi zbatimin nga muaji shkurt 2026.

Ndërkohë, agjentë të tjerë imobiliarë e lidhën rënien e çmimeve me hetimet e shumta të nisura nga SPAK, gjatë të cilave janë sekuestruar prona luksoze të dyshuara se u përkasin grupeve kriminale. Sipas tyre, kjo ka ndikuar në frenimin e qarkullimit të parasë informale në tregun e pasurive të paluajtshme, duke sjellë si pasojë edhe uljen e kërkesës nga kjo kategori blerësish./ Monitor