Masa e sigurisë ndaj drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni, ka shkaktuar debate në Komisionin e Brendshëm.

Deputeti i opozitës, Erald Kapri, kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndërprerjen e mbledhjes, duke e lidhur kërkesën me zhvillimet e fundit rreth drejtueses së SHISH-it. Nga ana tjetër, deputeti socialist Bledi Çuçi bëri thirrje për qetësi dhe respektimin e procesit gjyqësor, duke argumentuar se çështja është në duart e drejtësisë.

Pjesë nga debati:

Kapri: Shefja e SHISH-it na ka bërë me turp sot. Ju thatë që përgjegjësia është personale, por si mund të jetë e tillë kur ajo ka shitur sekrete te grupet kriminale të një vendi anëtar të NATO-s?

Kapri: Rama të kthehet nga SHBA-ja dhe të japë dorëheqjen, të përballet me drejtësinë. Nuk mund të cedojë kreu i SHISH-it, mban shtetin në këmbë! Sot është një dramë për Shqipërinë. Ndaleni këtë hipokrizi, mbylleni komisionin!

Çuçi: Kjo nuk është ngjarje e zakonshme, ta trajtojmë me qetësinë e duhur. Të mos nxitohemi me deklarata, por të bashkëpunojmë me drejtësinë! Duhet të presim verdiktin përfundimtar të drejtësisë. Asgjë nuk është e vërtetë derisa të vërtetohet.