Forcimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë ishte në qendër të takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve të Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Brdo pri Kranju të Sllovenisë.
Në ministerial u diskutua për rritjen e kapaciteteve të përbashkëta, përballimin e sfidave dhe kërcënimeve të sigurisë, si edhe koordinimin e politikave në kuadër të Bashkimit Evropian.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili theksoi se Shqipëria do të vijojë të mbështesë bashkëpunimin me aleatët dhe partnerët për forcimin e sigurisë në rajon.
“Shqipëria mbetet e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke kontribuar në konsolidimin e një hapësire evropiane më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të bashkuar. Në koordinim të ngushtë me aleatët dhe partnerët, vendi ynë vijon të mbështesë përpjekjet e përbashkëta për paqen, stabilitetin dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, tha Nufi përmes një postimi në rrjete sociale.
Takimi u zhvillua në kuadër të Bashkëpunimit të Mbrojtjes të Evropës Qendrore (CEDC), një platformë që bashkon vendet pjesëmarrëse për të koordinuar politikat dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Kjo platformë përbëhet nga shtetet e Evropës Qendrore: Austria, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Kroacia dhe Sllovenia, e cila mban këtë vit presidencën e këtij viti. Ndërkohë, Polonia ka një status vëzhguesi në këtë format bashkëpunimi.





