Kryetari i Partisë Demokratike dega Durrës, Adrian Gashi, ka denoncuar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale atë që ai e konsideron si vjedhje, hapsirën publike të lagjes 3 dhe 4 e cila prej vitesh përdorej nga banorët si lulishte, ndërsa sot po rrethohet.
“KUJT PO I JEPET HAPËSIRA PUBLIKE E BANORËVE TË DURRËSIT?
Një nga të paktat hapësira publike të mbetura, e përdorur prej vitesh nga banorët e lagjeve 3 dhe 4 si lulishte dhe hapësirë parkimi, sot po rrethohet.
Vetëm pak javë më parë, Bashkia dhe Policia Bashkiake zhvillonin aksione pikërisht në këto lagje për lirimin e hapësirave publike, me argumentin se ato janë të përbashkëta dhe duhet t’u rikthehen qytetarëve. Atëherë, çfarë po ndodh sot me këtë hapësirë?
Ndërsa në një pjesë të qytetit prishen banesat e lagjes historike me argumentin e krijimit të hapësirave të reja publike, në një pjesë tjetër po rrethohen hapësirat që qytetarët i kanë përdorur prej vitesh.
Bashkia Durrës duhet të bëjë publikisht të qartë përse po rrethohet kjo hapësirë, çfarë projekti do të zbatohet, kush e administron pronën dhe mbi bazën e cilit vendim apo leje po kryhen punimet.
Hapësirat publike nuk mund të jenë të tilla vetëm kur Bashkisë i leverdis t’i quajë kështu. Qytetarët e Durrësit meritojnë transparencë për çdo metër katror të qytetit të tyre.”, shkruan ai.





