Hiri vullkanik i emetuar nga mali Etna ka shkaktuar pezullimin e plotë të trafikut ajror në aeroportin e Katanias, në Itali.

Kompania SAC, që menaxhon aeroportin Catania-Fontanarossa, njoftoi se për shkak të emetimit intensiv të hirit vullkanik në atmosferë dhe drejtimit të erërave, që po e shtyn hirin drejt korridoreve ajrore, është vendosur zgjatja e mbylljes së sektorit të hapësirës ajrore C1.

Si pasojë, të gjitha fluturimet në mbërritje dhe në nisje do të mbeten të pezulluara gjatë gjithë ditës së diel, 27 shtator, të paktën deri në orën 23:59 me orën lokale.

Autoritetet aeroportuale u kanë bërë thirrje pasagjerëve të mos paraqiten në terminal pa kontaktuar më parë kompaninë e tyre ajrore, për të verifikuar statusin e fluturimit ose për të marrë informacion mbi mundësinë e sistemimit në një fluturim tjetër.