Kombëtarja shqiptare kaloi me shumë sukses një pengesë të vështirë si Bjellorusia 2-0, një fitore që merr akoma më shumë vlerë për vetë lojën që shfaqi skuadra jonë përfaqësuese në fushë.
Por kuqezinjtë e drejtuar nga Rolando Maran nuk kanë kohë për të festuar e relaksuar pasi ditën e martë do të luajnë ndeshjen e dytë të këtij edicioni të Nations League, atë me San Marinon në transfertë.
Është kjo një ndeshje që në letër konsiderohet e lehtë për kuqezinjtë, aq më tepër që San Marino pësoi humbje të thellë në shtëpi nga Finlanda 0-7. Për më tepër edhe bilanci i përballjeve direkte mes këtyre dy skuadrave flet totalisht për skuadrën tonë kombëtare. Deri tani Kombëtarja shqiptare dhe San Marino janë përballur 4 herë mes tyre dhe që të katërta janë fituar nga kuqezinjtë.
Dy ndeshjet e para mes kombëtares shqiptare dhe San Marinos kanë qenë miqësore. Sfida e parë mes tyre daton në 16 gusht të 2006 me skuadrën kuqezi që fitoi me rezultatin 3-0. I njëjti rezultat u regjistrua edhe në miqësoren e dytë të zhvilluar 8 vjet më vonë, më 8 qershor të 2014-s. Ndërsa dy sfidat e tjera mes San Marinos dhe Kombëtares kanë qenë të vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2022. Në 31 mars të 2021 kuqezinjtë fituan 2-0, ndërsa në 8 shtator të 2021 në Tiranë u shënua fitorja 5-0 e skuadrës sonë përfaqësuese.





